Punimet e grave nga Qendra Korrektuese ekspozohen në Prizren
V.Th / RTKLive
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të “Javës së Nënë Terezës 2026”, e cila është mbajtur në Muzeun e Nënë Terezës në Prizren.
Në kuadër të aktivitetit, tema qendrore e të cilit këtë vit ishte bamirësia, u organizua edhe një ekspozitë shitëse me punime artistike të realizuara nga gratë e Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan.
Në aktivitet, SHKK-ja u përfaqësua nga drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Ylber Topalli.
Punimet e ekspozuara janë rezultat i aktiviteteve kreative dhe programeve rehabilituese që zhvillohen në qendër, me qëllim të zhvillimit të aftësive, fuqizimit dhe përgatitjes së grave për riintegrim në shoqëri.
Të hyrat nga shitja e punimeve do t’u dedikohen drejtpërdrejt grave që i kanë realizuar ato.
Sipas SHKK-së, pjesëmarrja në këtë aktivitet është pjesë e përpjekjeve për të mbështetur rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria, duke u krijuar mundësi për zhvillimin e aftësive dhe promovimin e punës së tyre kreative.























