Mënyra e re e organizimit të mësimit tërëditor ka nxitur debat |Video
Qendresa Duraku / RTK
Mësimi tërëditor në shkollat e Prishtinës po përballet me një çështje të re. Prindërve u është kërkuar të nënshkruajnë deklaratë pajtueshmërie për qëndrimin e fëmijëve në shkollë apo jo pas përfundimit të mësimit të rregullt. Kjo pjesë e ditës e paraparë për aktivitete zgjedhore dhe jashtëkurrikulare, sipas Komunës së Prishtinës nuk është e detyrueshme. Por mënyra e re e organizimit ka ngritur pikëpyetje te disa prindër dhe ka nxitur diskutime për mënyrën se si po zbatohet modeli i mësimit tërëditor.
Me nisjen e vitit të ri shkollor, në 16 shkolla të Prishtinës po zbatohet modeli i mësimit tërëditor.
Pjesa e dytë e ditës parashihet të përfshijë aktivitete zgjedhore dhe jashtëkurrikulare, ndërsa këtë vit prindërve u është kërkuar të deklarohen paraprakisht nëse fëmijët e tyre do të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të mësimit të rregullt. Kërkesa që prindërit të deklarohen paraprakisht ka sjellë qëndrime të ndara. Disa prej tyre e shohin orarin e zgjatur si ngarkesë të tepruar për fëmijët e vegjël, ndërsa të tjerë shprehin shqetësimin se mund të krijojë ndasi mes nxënësve që qëndrojnë dhe atyre që largohen.
“Po pak koha e gjatë e fëmijët e janë ende të vegjël. Nuk ka diçka më shumë të arsyeshme që me ndejë për atë pjesën shtesë, kështu kemi vendos me e marrë vetëm pjesën e rregullt”, ka thënë një prind.
“Pak shqetësuese po, se mos të bëhet ndasi e fëmijëve, dikush me ndejtë në tërëditor e dikush mos me ndejtë, por tash si merret vendimi nuk e di, por ne jemi deklaruar për mësim tërëditor”, shtoi ai.
Për opozitën në Kuvendin Komunal të Prishtinës, mënyra e re e organizimit është dëshmi se komuna nuk i ka përmbushur kushtet për zbatimin e plotë të mësimit tërëditor.
“Gjithsesi Komuna e Prishtinës ka dështuar në këtë aspekt, thjesht shkollat gjithëditore nuk janë vetëm formate që duhen vënë në letër, por ato duhet të implementohen dhe ne jemi dëshmitarë të një situate bukur të rëndë nëpër shkollat tona. Besoj se nuk kemi infrastrukturë të bollshme, të kënaqshme, nuk kemi salla të sporteve për ata fëmijë, për aktivitetet jashtëshkollore”, ka thënë Jeta Dida Bujari, asambliste e LVV-së në Komunën e Prishtinës.
Edhe njohësi i çështjeve arsimore, Rinor Qehaja, thotë se vendosja e mësimit tërëditor si zgjedhje për prindërit e vë në pikëpyetje vetë synimin e kësaj reforme.
“Është kjo iniciativë e prezantuar rishtas që mësimin tërëditor e bën opsional, na vë në dyshime pastaj edhe atë qëllimin që me e shpërnda si praktikë dhe model të mirë gjithandej në të gjitha shkollat e Prishtinës. Pasi që në gjykimin tim në momentin kur mësimi tërëditor vihet në opsion të zgjedhjes së prindërve atëherë pak do të jenë ata të punësuar që i lënë fëmijët në shkollë gjatë pjesës së dytë të mësimit”, ka thënë Qehaja.
Në Komunën e Prishtinës, ndërkaq, thonë se deklarata e prindërve nuk nënkupton heqje dorë nga mësimi tërëditor, por është pjesë e organizimit të tij.
“Për shkak të komenteve që ka pasur për mësimin tërëditor, kemi dashtë ta dimë pëlqyeshmërinë e prindit në raport që me e sjellë fëmijën e tij në kuadër të këtij procesi, pra të pjesës së dytë të ditës. Meqenëse për neve implikon buxhet, pra planifikim të shujtave, planifikim të mësimdhënësve për aktivitetet zgjedhore që zhvillohen, sepse këto të gjitha janë aktivitete zgjedhore“, ka thënë Arianit Elshani, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunë të Prishtinë.
Elshani theksoi se aktivitetet e pjesës së dytë të ditës nuk janë të detyrueshme dhe nuk përfshihen në vlerësimin e rregullt.























