MICS 2025: Përparim për fëmijët në Kosovë, por pabarazitë mbeten të mëdha
K. K. / RTKlive
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe UNICEF-i në Kosovë kanë publikuar gjetjet e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025, e cila paraqet të dhëna gjithëpërfshirëse për gjendjen e fëmijëve, grave dhe familjeve në Kosovë.
Të dhënat tregojnë përparim në disa fusha, përfshirë mbijetesën e fëmijëve, edukimin në fëmijërinë e hershme, gatishmërinë për shkollë dhe përdorimin e disiplinës jo të dhunshme. Megjithatë, raporti evidenton pabarazi të theksuara, veçanërisht për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë.
Sipas MICS 2025, vdekshmëria neonatale në Kosovë ka rënë nga 11 në 8 vdekje për 1,000 lindje të gjalla, krahasuar me vitin 2020. Në komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, kjo shifër ka rënë nga 21 në 15 vdekje për 1,000 lindje të gjalla.
Imunizimi i plotë i fëmijëve të moshës 24–35 muajsh është 76 për qind në popullatën e përgjithshme, ndërsa te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë është 44 për qind.
Pjesëmarrja në edukimin në fëmijërinë e hershme për fëmijët 3–4 vjeç është rritur nga 15 për qind në vitin 2020 në 36 për qind në vitin 2025. Megjithatë, te fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë kjo shifër mbetet rreth 7 për qind.
Hendek të madh ka edhe në vijueshmërinë e arsimit. Në popullatën e përgjithshme, vijueshmëria është 96 për qind në arsimin fillor, 95 për qind në arsimin e mesëm të ulët dhe 89 për qind në arsimin e mesëm të lartë. Ndërsa te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë, ajo bie nga 83 për qind në arsimin fillor në vetëm 27 për qind në arsimin e mesëm të lartë.
Në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, përdorimi i disiplinës së dhunshme ka rënë nga 72 në 64 për qind, ndërsa dhuna e rëndë është ulur nga 6 në 2 për qind. Megjithatë, dhuna ndaj fëmijëve vazhdon të mbetet një shqetësim.
Raporti evidenton sfida edhe në ushqyerjen e fëmijëve. Rreth 24 për qind e fëmijëve të moshës 5–9 vjeç në popullatën e përgjithshme konsiderohen mbi peshë, ndërsa kjo shifër arrin në 32 për qind te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë. Po ashtu, 57 për qind e fëmijëve të moshës 6–23 muajsh në popullatën e përgjithshme konsumojnë ushqim jo të shëndetshëm, krahasuar me 80 për qind te fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.
Sa i përket mbrojtjes sociale, transferet sociale arrijnë te 94 për qind e fëmijëve nën moshën 18 vjeç, ndërsa 80 për qind e popullsisë që jeton në familje pranon një lloj të transfereve sociale.
Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, tha se të dhënat e MICS 2025 janë të rëndësishme për monitorimin e progresit dhe identifikimin e pabarazive.
“Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, jemi të përkushtuar për të prodhuar të dhëna cilësore dhe ndërkombëtarisht të krahasueshme që i shërbejnë interesit publik”, tha Kastrati.
Ndërsa Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, tha se progresi për fëmijët është real, por jo i barabartë.
“Gjetjet e reja të MICS-it tregojnë se përparimi për fëmijët në Kosovë është real, por ende jo i barabartë”, deklaroi Vashchenko.
MICS 2025 është raundi i tretë i kësaj ankete në Kosovë, pas atyre të viteve 2014 dhe 2020. Anketa është realizuar përmes afro 14 mijë intervistave në 6,928 ekonomi familjare, përmes dy anketave të ndara.
Të dhënat mundësojnë analizimin e treguesve sipas vendbanimit, gjinisë, moshës, arsimit, pasurisë, përkatësisë etnike dhe statusit të aftësisë së kufizuar, duke u ofruar institucioneve një bazë për hartimin e politikave dhe orientimin e burimeve drejt grupeve më të cenueshme.























