Kuvendi i Deçanit miraton deklaratë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
BKT
Kosovë

Kuvendi i Deçanit miraton deklaratë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

V. Th. / RTKLive

Kuvendi i Komunës së Deçanit ka mbajtur mbledhje urgjente, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një deklaratë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas njoftimit të Komunës së Deçanit, në mbledhje kanë marrë pjesë kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hajdar Sutaj, kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, nënkryetari Sami Cacaj, anëtarë të Kuvendit, drejtorë komunalë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Bashkësisë Islame dhe organizatave joqeveritare lokale.

Në deklaratë, Kuvendi Komunal thotë se, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, shpreh mospajtim me aktgjykimin e shkallës së parë të shpallur më 16 shtator 2026.

Sipas Komunës së Deçanit, Kuvendi konsideron se përgjegjësia personale e secilit të akuzuar duhet të dëshmohet përmes provave të qarta, konkrete dhe bindëse, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh gjithashtu solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit dhe u bën thirrje qytetarëve që, pavarësisht emocioneve, të ruajnë qetësinë dhe të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe institucionale.

Në fund të deklaratës, Kuvendi i Komunës së Deçanit ka përcjellë mesazhin: “Jo në emrin tim!”.


MË SHUME NGA Kosovë