MINTI intensifikon kontrollet kundër piraterisë në Prishtinë dhe Gjilan
BKT
Kosovë

MINTI intensifikon kontrollet kundër piraterisë në Prishtinë dhe Gjilan

V. Th. / RTKLive

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar kontrollet për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.

Përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ekipet inspektuese kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme kontrolle në subjekte ekonomike në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit.

Sipas MINTI-t, inspektimet janë përqendruar veçanërisht te bizneset që merren me fotokopjim, riprodhim dhe shpërndarje të materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit.

“Qëllimi i këtyre inspektimeve është verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore gjatë riprodhimit dhe përdorimit të materialeve të mbrojtura, si dhe parandalimi i përdorimit, riprodhimit apo shfrytëzimit të paautorizuar të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

Aktivitetet inspektuese, sipas ministrisë, po zhvillohen në bazë të Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, si dhe në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

MINTI ka thënë se përmes këtyre aksioneve synon të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe titullarëve të të drejtave, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë.

“Synojmë të kontribuojmë në krijimin e një tregu ku veprimtaria ekonomike zhvillohet në mënyrë të ligjshme”, thuhet më tej në njoftim.

MINTI dhe IQMT kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, bazuar edhe në ankesat dhe informacionet e pranuara nga konsumatorët për rastet e dyshuara të shkeljes së të drejtës së autorit dhe piraterisë.


MË SHUME NGA Kosovë