Rruga e bllokuar prej dy vitesh në Grashticë
BKT
Kosovë

Rruga e bllokuar prej dy vitesh në Grashticë

Zenel Hajrizi/RTK

Banorët e Grashticës së Prishtinës kanë mbetur të izoluar për shkak të një rruge të bllokuar tash e dy vjet. Ata thonë se e kishin rregulluar rrugën me mjete vetanake, por punimet e Komunës për rrjetin e kanalizimit e dëmtuan atë dhe më pas makineritë u larguan. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, banorët thonë se ende nuk kanë marrë zgjidhje nga institucionet.

Në fshatin Grashticë të Prishtinës, banorët u bënë bashkë për ta hapur rrugën e lagjes së tyre. Me investime vetanake, ata e bënë atë sadopak të kalueshme. Më pas, i ishin gëzuar fillimit të punimeve për rrjetin e kanalizimit nga Komuna e Prishtinës. Por, ky gëzim zgjati shumë pak. Punimet e komunës në vend që t’ua lehtësojnë jetën banorëve të kësaj ane, ua vështirësuan edhe me shumë atë. Makineritë u larguan, duke lënë pas një rrugë, që tash e dy vjet ka mbetur krejtësisht e bllokuar.

“Secili i kemi tubuar 50 euro, 100 euro, 500 euro, sa kemi mundur, dhe kemi filluar. Disa e kemi bërë me dorë, disa me bager, dhe e kemi hapur e rregulluar rrugën tamam, ashtu siç duhet”, tha Idriz Krasniqi, banor i Grashticës.

“Jemi disa familje dhe kërkesa është në Komunë për disa familje që po duan të kthehen në banimet e veta”, tha Shaban Sopjani, banor i Grashticës.

Kërkesën zyrtare në komunë, banorët e kanë nisur që nga viti 2013, nga ku kanë marrë vetëm premtime e asnjë veprim konkret. Ndaj punimet e para i kishin inkurajuar banorët të ngrinin kulme të reja mbi themele të vjetra. Dëshira për të jetuar në vendlindje po përplaset me harresën institucionale

“Ja nisëm i ndreqëm pak  këto po pa udhë as sun pe qet materialin as sun po bon kurgjo edhe na patëm me i marue katër, pesë se jemi vllazni shumë edhe familje e madhe po edhe qyty jemi lind”, tha Hamdi Krasniqi, banor.

“Ja nisëm, i ndreqëm pak këto, po pa rrugë as nuk mund  e qet materialin, as nuk mund të bësh kurgjë. Edhe ne patëm me i ndërtuar katër-pesë shtëpi, se jemi vëllezër shumë dhe familje e madhe, po edhe këtu jemi lind”, tha Hamdi Krasniqi.

Për ta zgjidhur këtë problematikë prej më pak se një kilometri, banorët janë të gatshëm t'i lirojnë edhe pronat e tyre private. Por, përderisa ata japin gjithçka nga vetja, nga institucionet marrin vetëm heshtje. Edhe pse zyrtarët e Komunës së Prishtinës janë plotësisht në dijeni të këtij izolimi, RTK nuk arriti ta marrë asnjë përgjigje prej tyre.

Komunarët zgjodhën t'i mbyllin sytë para një projekti që vetë e shkatërruan, duke i lënë banorët e Grashticës të bllokuar në baltë, mes premtimeve që kohë mbas kohe u bëhen dhuratë e shpresës se një ditë , dikush do t'u kthejë rrugën.


MË SHUME NGA Kosovë