Policia me aktivitet edukues për sigurinë në trafik në Gjakovë
G.K/RTKlive
Policia e Kosovës ka zhvilluar në Gjakovë një aktivitet edukues me fëmijë për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë, në bashkëpunim me Shoqatën “Hendikos” dhe Shoqatën e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve, ka zhvilluar një aktivitet edukues në një pikë kontrolli në rajonin e Gjakovës.
Sipas Policisë së Kosovës, aktiviteti kishte për qëllim prezantimin e punës së Policisë dhe rolit të saj në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Fëmijëve iu shpjegua rëndësia e respektimit të rregullave të trafikut dhe sjelljes së sigurt në rrugë, ndërsa patën mundësi të njihen nga afër me punën e Policisë dhe kontributin e saj për një ambient më të sigurt.
“Ky aktivitet kishte për qëllim përcjelljen e mesazhit se siguria në komunikacion fillon me edukim, ndërgjegjësim dhe respekt për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin me institucionet, shoqatat dhe komunitetin, për ngritjen e kulturës së sigurisë rrugore.























