Kuvendi i Prizrenit miraton deklaratë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
G.K/RTKlive
Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar unanimisht një deklaratë me të cilën ka shprehur mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se përgjegjësia penale është individuale dhe duke përcjellë mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”.
Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës është mbajtur të enjten, e kryesuar nga Kryesuesi i Kuvendit, Simir Krasniqi, në prani të anëtarëve të Kuvendit, monitoruesve dhe përfaqësuesve të mediave.
“Në këtë mbledhje u votua unanimisht dhe u miratua Deklarata e Kuvendit të Komunës së Prizrenit lidhur me aktgjykimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së: z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Sipas deklaratës së publikuar nga Komuna, Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka shprehur mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Kuvendi i Komunës së Prizrenit, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, shpreh mospajtimin e tij të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026, ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, thuhet në deklaratë.
Komuna ka bërë të ditur se në deklaratë ritheksohet që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e luftës për liri dhe çlirim.
“Kuvendi i Komunës së Prizrenit, rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e luftës për liri dhe çlirim, e lindur nga rrethanat e rënda të represionit, dhunës, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës.”
Sipas njoftimit të Komunës, Kuvendi ka konsideruar se përgjegjësia personale e secilit të akuzuar duhet të provohet me prova të qarta, konkrete, bindëse dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
“Përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shtrihet apo të interpretohet si përgjegjësi kolektive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës së saj”, thuhet në deklaratë.
Komuna ka njoftuar se Kuvendi i Prizrenit ka shprehur solidaritet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, me familjet e tyre dhe me të gjithë ata që këtë proces e kanë përjetuar me dhimbje dhe shqetësim.
Në deklaratë, sipas Komunës, është nderuar edhe sakrifica e dëshmorëve, martirëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe qytetarëve që kontribuan për lirinë e vendit.
Po ashtu, u është bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit dhe të gjithë Kosovës që “ta ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe institucionale”.























