Dy gjimnaze në një objekt, Prishtina paralajmëron ndërtimin e shkollave të reja
BKT
Kosovë

Dy gjimnaze në një objekt, Prishtina paralajmëron ndërtimin e shkollave të reja

Kaltrina Rexhepi-Dragusha/ RTK

Nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë mësojnë informatikën pa pasur mundësi ta praktikojnë atë në kabinete të pajisura me kompjuterë. Pas vendosjes së gjimnazit “Eqrem Çabej” në të njëjtin objekt, shkolla ka mbetur pa dy kabinetet e informatikës dhe pa hapësira për praktikën e disa lëndëve të tjera. Mësimdhënësit thonë se kjo ua vështirëson zhvillimin e aftësive digjitale nxënësve, ndërsa Komuna paralajmëron riorganizim të hapësirave pas hapjes së shkollave të reja.

Në këtë gjimnaz të Prishtinës, nxënësit mësojnë për teknologjinë, por nuk kanë ku ta praktikojnë atë. Dy kabinetet e informatikës, që dikur i kishte gjimnazi “Ahmet Gashi”, tashmë nuk ekzistojnë. Orët e kësaj lënde zhvillohen në klasa të zakonshme, kryesisht përmes projektorit. Kjo situatë ka ardhur pas vendimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit që, prej tre vjetësh, në të njëjtin objekt të funksionojë edhe gjimnazi “Eqrem Çabej” .

Për mësimdhënësit, mungesa e hapësirave nuk është vetëm çështje komoditeti, por pengesë për zhvillimin.

“Në një kohë kur tregu i punës po avancon vazhdimisht, sidomos në fushën e teknologjisë dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, ne përballemi me sfida elementare, sepse nuk posedojmë fare kabinet të informatikës. Lënda e informatikës zhvillohet në klasë të zakonshme, njësoj sikurse lëndët e tjera”, tha Gentijana Loshaj, profesoreshë e informatikës.

 Sipas profesoreshës Gentiana Loshaj, shkolla nuk po arrin t'u ofrojë nxënësve as kushtet bazë për zhvillimin e aftësive digjitale.

 “Sa u përket kurseve dhe trajnimeve private që ata i ndjekin, janë të përgatitur, por ne si shkollë nuk mund të ofrojmë asgjë. Dihet se të gjitha mësimet shtesë kanë kosto financiare për prindërit, e cila mund të kalojë 100 euro në muaj”, tha Loshaj.

 Në objektin ku dikur funksiononte vetëm gjimnazi “Ahmet Gashi”, sot mësimin e ndjekin nxënësit e dy institucioneve. I pari ka 30 paralele, ndërsa gjimnazi “Eqrem Çabej” edhe 18 të tjera. Gjithsej 48 paralele, me mësim që zhvillohet në dy ndërrime.

Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi” thotë se vendimi për vendosjen e dy shkollave në një objekt e ka mbirngarkuar atë, duke i lënë nxënësit jo vetëm pa kabinete të informatikës, por edhe pa hapësira për zhvillimin praktik të lëndëve të tjera.

“Tash, me ardhjen e tyre, është ngushtuar hapësira për zhvillimin e procesit mësimor, posaçërisht për lëndët e TIK-ut, ku kemi mungesë të kabineteve të informatikës dhe, si mësimdhënës të TIK-ut, orën e realizojmë vetëm me projektor. Domethënë, ne i kemi pasur dy kabinete, tani nuk e kemi asnjë kabinet. Pastaj kemi nevojë për kabinet të muzikës, të artit figurativ, të cilat tash nuk i kemi. Nuk kemi as kabinete të fizikës, kimisë dhe biologjisë, të cilat dikur shkolla i ka pasur”, tha Dili.

 Por me mungesë të hapësirave po përballen edhe shkolla të tjera të kryeqytetit. Këtë e pranon edhe drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani.

“Jemi duke punuar dhe aktualisht janë disa vendpunishte të hapura për ndërtimin e shkollave të reja. Fatmirësisht, një zgjidhje konkrete do të mundësojë lirimin e hapësirave në Tophane, pasi një pjesë e nxënësve do të bartet në shkollën e re.Kjo do të na mundësojë riorganizimin e hapësirave ekzistuese dhe zhvendosjen e fëmijëve në ambiente të tjera shkollore”, tha Elshani.

Derisa të krijohen hapësira të reja, nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” do të vazhdojnë ta mësojnë informatikën kryesisht në teori.

 


MË SHUME NGA Kosovë