AKB hap Javën e Biznesit Kosovar 2026, Shahini: Ne vazhdojmë të jemi pranë bizneseve
RTKLive
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hapur zyrtarisht Javën e Biznesit Kosovar 2026, me moton “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?”, duke ritheksuar rëndësinë e promovimit dhe konsumimit të produkteve vendore, mbështetjes së prodhuesve kosovarë dhe fuqizimit të ekonomisë së vendit.
Në hapjen e këtij manifestimi, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, theksoi se kjo nismë tashmë është shndërruar në një traditë 24-vjeçare, e cila ka për mision promovimin e prodhimit vendor, ndërmarrësisë dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Shahini tha se gjatë gjithë këtyre viteve AKB-ja ka qëndruar pranë prodhuesve vendorë, duke ngritur zërin e bizneseve dhe duke kërkuar më shumë hapësirë për produktet “Made in Kosova”.
“Te nderuar, sot nuk jemi mbledhur vetëm për të hapur një manifestim ekonomik. Jemi mbledhur për të vazhduar një mision 24 vjet, një traditë që ka qenë për prodhimin vendor, ndërmarrësinë kosovare, zhvillimin ekonomik të vendit tonë. 24 vjet me radhë Aleanca Kosovare e Biznesit ka qëndruar pranë prodhuesve për të promovuar produktet vendore, për të ngritur zërin e biznesit dhe për të kërkuar më shumë hapësirë për prodhimet ‘Made in Kosova’. Kanë ndryshuar kohët, kanë ndryshuar qeveritë, politikat, sfidat dhe ekonomia, por një gjë nuk ka ndryshuar: misioni ynë për të mbështetur biznesin dhe prodhimin vendor. 24 vjet kemi qëndruar besnik kauzës tonë. 24 vjet kemi qëndruar ndaj një misioni. 24 vjet përkushtim për ekonominë dhe prodhimin vendor. AKB-ja nuk është vetëm organizator e një manifestimi. AKB-ja është një rrugëtim, një promovim i prodhimeve vendore anë e mbanë Kosovës dhe më tutje. Kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë aty me prodhuesin vendor”, deklaroi Shahini.
Ai theksoi se motoja e sivjetme nuk është vetëm një slogan promovues, por një thirrje për përgjegjësi të përbashkët të qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve për të konsumuar dhe mbështetur prodhimin vendor.
“Ne vazhdojmë të jemi pranë bizneseve, sepse besojmë se ekonomia nuk ndërtohet me fjalë, por me prodhim, investime, punë dhe përkushtim, përkushtim konkret. Të nderuar të pranishëm, motoja jonë këtë vit është: ‘Unë konsumoj prodhime vendore, po ju? 24 vjet vizion’. Kjo nuk është vetëm një moto, është një mesazh ekonomik, është një thirrje e përgjegjësisë së përbashkët. ‘Unë konsumoj produkte vendore’ në mbështetje tonë ka kaluar shumë kilometra anë e mbanë Kosovës edhe më tutje, por gjithmonë ka qenë vëmendja që të ngritet vetëdija kombëtare për të konsumuar prodhim vendi. Ka mbetur prodhimi ynë një nga qëndrueshmëritë më të mira dhe më të qëndrueshme. Prandaj edhe ftesat tona mbesin në vazhdimësi për të qenë prioritet i qeverisë për të mbështetur prodhuesit vendorë. Prandaj ne e shohim shpëtimin e vetëm për ekonominë përmes prodhimit vendor”, u shpreh Shahini.
Kreu i AKB-së kërkoi nga institucionet e Kosovës politika më të qëndrueshme ekonomike, procedura më efikase dhe qasje më të lehtë në financa e investime, duke theksuar nevojën për partneritet të drejtpërdrejtë ndërmjet bizneseve dhe institucioneve qendrore e lokale.
“Bizneset tona kanë nevojë më shumë për politika më të qëndrueshme, procedura më efikase, qasje më të mira në financa, investime dhe të gjitha këto në partneritet me institucionet e Kosovës. I ftoj bizneset e Kosovës që të krijojnë partneritet të drejtpërdrejtë me qeveritë lokale dhe qendrore si i vetmi shpëtim për të ecur përpara ekonomia jonë. Ne nuk duam që vetëm të flasim, të diskutojmë. Ne kërkojmë që të gjithë të japin përgjegjësi para institucioneve ku punojmë. Nuk duam vetëm premtime, duam veprime. Nuk duam vetëm të promovojmë simbolikisht, duam të konsumojmë dhe duam të kemi rezultate për konsumim të prodhimit vendor. Të nderuar prodhues dhe afaristë, ju jeni arsyeja e vetme se kjo traditë po vazhdon. Ju jeni ata që po punësoni, që po prodhoni, ju jeni ata që po i jepni mbështetje prodhimit, punësimit, eksportit dhe investimeve. Misioni ynë sot po fillon, por kjo është mision që do të vazhdojë 365 ditë bashkarisht me ju”, theksoi ai.
Ndërkaq, drejtoresha e AKB-së, Lumnije Ajdini duke moderuar aktivitetin, foli për rëndësinë e motos dhe të aktivitetit.
“Mirë se keni ardhur në ceremoninë ëh, të hapjes solemne të javës të edicionit të 24-t të manifestimit tradicional “Javët e Biznesit Kosovar 2026”, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, me mbështetje institucionale dhe financiare të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, po ashtu me agjencionin për ndërmarrje, për investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA. Këtë vit manifestimi zhvillohet nën moton “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?”. Ky manifestim është një platformë ekonomike e rëndësishme për promovimin e prodhimit vendor, fuqizimin e bizneseve kosovare, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për investime, punësim dhe rritjen e eksportit. Përmes këtij aktiviteti dëshirojmë të përcjellim një mesazh, të qartë se prodhimi vendor është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Të nderuar të pranishëm, në vijim do të dëgjojmë fjalët e përfaqësuesve institucionalë dhe ëh, komunitetit ekonomik, të cilët me praninë dhe kontributin e tyre i japin rëndësi të veçantë këtij manifestimi”, tha ajo.
Në këtë aktivitet, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, vlerësoi rëndësinë e konsumimit të produkteve vendore, duke theksuar se kjo zgjedhje ndikon drejtpërdrejt në fuqizimin e bizneseve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e të hyrave buxhetore.
Hyseni tha se ATK-ja është e përkushtuar në formalizimin e ekonomisë, krijimin e konkurrencës së drejtë dhe lehtësimin e procedurave për bizneset përmes shërbimeve elektronike.
“Titulli i këtij takimi ‘Unë konsumoj produkte vendore, po ju?’ është jo vetëm një pyetje e thjeshtë, por që ka një rëndësi të veçantë për ne si popull. Sepse sa herë që zgjedhim një produkt vendor, ne mbështesim jo vetëm një biznes, mbështesim vende të reja të punës, mbështesim të ardhura shtetërore më shumë dhe mbështesim shërbime publike më shumë. Është kënaqësi që sot një pjesë e madhe e kabinetit qeveritar shihet këtu prezent, çka dëshmon një zotim të politikave të mira fiskale dhe të politika të mira qeveritare sa i përket bizneseve vendore. Tek ne është e rëndësishme se Administrata Tatimore, ne jemi organ i cili zbaton politikat qeveritare, por ajo që bëjmë ne më së miri për biznese, është formalizimi i ekonomisë së vendit, e cila krijon një konkurrueshmëri të drejtë dhe lojale”, deklaroi Hyseni.
Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe të vitit, Administrata Tatimore e Kosovës ka realizuar rreth 62 milionë euro rimbursime për bizneset, duke shënuar rritje prej rreth 16 për qind krahasuar me periudhën paraprake. Po ashtu, ai theksoi zgjerimin e shërbimeve elektronike, të cilat synojnë t’ua lehtësojnë bizneseve përmbushjen e obligimeve tatimore.
“Ne vetëm gjatë kësaj periudhe të këtij viti kemi kthyer diku 62 milionë rimbursime, kërkesa të bizneseve që janë bërë në ATK. Është diku një rritje diku rreth 16% krahasuar me periudhën paraprake. Kemi rritur shërbimet elektronike që t’ju dalim në krah bizneseve që t’ju lehtësojmë jetën e tyre sa i përket kryerjes së obligimeve tatimore në ATK. Tash, kur po flasim kemi diku 64 shërbime elektronike që ATK-ja i ka paraqitur para prodhuesve vendorë të cilët mund t’i shfrytëzojnë, në mënyrë që deklarimet e tyre të jenë të sakta dhe të lehta”, tha Hyseni.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, prezantoi potencialet ekonomike të kësaj komune, duke veçuar bujqësinë, industrinë e përpunimit të patates dhe industrinë e mobilerisë si sektorë me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e eksporteve.
Idrizi theksoi se Vushtrria ka arritur rezultate të rëndësishme në kultivimin dhe përpunimin e patates, ndërsa kompanitë e mobilieve kanë depërtuar në tregjet ndërkombëtare, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, Zvicrën, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë nuk do të zgjatem në fjalimin tim, sepse e thanë parafolësit, por vij nga Komuna e Vushtrrisë, qyteti më i lashtë i Kosovës, një komunë që e ka një territor prej 345 km², por në këtë kontekstin të cilin po diskutojmë ka arritje jashtëzakonisht të mira në dy fusha. Është lidere në kultivimin dhe përpunimin e patates, ku 1300 hektarë tokë i kemi në sistemin e ujitjes dhe rendimentet janë shumë të larta, po ashtu është edhe fabrika e përpunimit të patates që pjesën më të madhe e ka jo vetëm në eksportin në konsumin vendor të eksportuar, por edhe në eksportin ndërkombëtar. Gjithashtu lidere të fushës së që duhet përmendur është edhe industria e mobilerisë. Kemi qindra kompani të vogla, por prej tyre janë dhjetëra kompani të cilat janë lidere të përpunimit të mobileve dhe i kanë zënë tregjet e eksportit në vendet e Bashkimit Evropian, në Zvicër, në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I përmenda këto sepse vetëm rritja e eksportit dhe ulja e importit e balancon deri diku bilancin tregtar dhe krijon stabilitet për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh Idrizi.
Ai foli edhe për sektorët e tjerë që po zhvillohen në Vushtrri, si përpunimi i metaleve, plastikës dhe prodhimi i dyerve e dritareve, duke vënë theks të veçantë te rëndësia e përgatitjes profesionale të të rinjve dhe lidhjes së arsimit me nevojat e tregut të punës.
“Në këtë kontekst kemi edhe fushat e tjera të cilat janë duke u zhvilluar, sidomos përpunimi i metaleve dhe i plastikës, dyerve dhe dritareve plastike. Me qëllim të bashkëpunimit me biznese në Komunën e Vushtrrisë, ne si komunë ka që katër vite që kemi filluar mësimin dual në disa profile, me qëllim të përgatitjes së të rinjve për tregun e punës. Po përmend një qëllimisht mësimin dual, për të përcjellë një mesazh të fuqishëm, sepse mendoj se nuk ka produkte cilësore pa përgatitje profesionale të të rinjve për tregun e punës dhe pa harmonizimin e profileve profesionale me nevojat e tregut të punës. Tani jemi duke punuar edhe në zhvillimin e agroturizmit, meqë i kemi ministrat që e lidhin jashtëzakonisht mirë dhe i falënderoj shumë për punën dhe angazhimin që po bëjnë. Dhe dua të tërheq vëmendjen se një pjesë e territorit të Komunës së Vushtrrisë, sidomos fshatrat e Shalës së Bajgorës që është një bukuri jashtëzakonisht e rrallë, me një lartësi mbidetare deri në 1400 metra, kemi mijëra hektarë kullota, livadhe dhe male të cilat tani për tani janë plotësisht të pashfrytëzueshme”, deklaroi Idrizi.
Java e Biznesit Kosovar 2026 synon të vazhdojë promovimin e prodhimeve vendore dhe të rrisë vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e konsumimit të produkteve të prodhuara në Kosovë. Përmes kësaj nisme, AKB-ja synon që mbështetja për prodhuesit vendorë të mos mbetet vetëm në nivel simbolik gjatë një jave, por të shndërrohet në një angazhim të përditshëm të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve.






















