Kusari-Lila kërkon më shumë mbështetje për produktet vendore
E.Hoti/RTKlive
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë thirrje për mbështetjen e prodhimit vendor dhe konsumimin e produkteve të prodhuara në Kosovë.
Këtë mesazh ajo e përcolli gjatë hapjes solemne të Javës së Biznesit Kosovar 2026, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, ku motoja e këtij edicioni është “Unë Konsumoj Produkte Vendore?”.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka thënë se zgjedhja e produkteve vendore ndikon në rritjen e prodhimit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe forcimin e ekonomisë së vendit.
Ajo ka bërë të ditur se Ministria po mbështet bizneset prodhuese përmes granteve për certifikim, mekanizmave të rinj financiarë, zhvillimit të eko-parqeve industriale dhe krijimit të mundësive për tregti e eksport.
Sipas saj, eksportet janë rritur për rreth 20 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kusari-Lila ka përmendur edhe nismën “Dhuro Made in Kosova”, me qëllim të promovimit të produkteve vendore dhe ofrimit të mundësive që ato të arrijnë edhe te bashkatdhetarët në diasporë.
Ministrja ka theksuar se bizneset vendore mbeten partnerë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin prodhimin vendor.






















