AUV ndalon përkohësisht prodhimin e pleskavicës së kompanisë Buquku
N.M. /RTKlive
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të produktit “Pleskavicë Buquku 0.5 kg”, të prodhuar nga kompania Buquku SH.P.K. në Pejë, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar nivele të pakënaqshme të bakterit Escherichia coli (E. coli).
Sipas AUV-së, bëhet fjalë për produktin me datë prodhimi 12 nëntor 2026, ndërsa rezultatet e analizave kanë treguar se niveli i bakterit tejkalon pragun referues të përcaktuar për higjienën e procesit të prodhimit.
Inspektorët kanë urdhëruar edhe tërheqjen e sasive të mbetura të produktit nga tregu. Ndërkaq, kompania është obliguar të identifikojë burimin e kontaminimit dhe të ndërmarrë masa korrigjuese për përmirësimin e higjienës dhe sigurisë gjatë prodhimit.
AUV ka bërë të ditur se prodhimi nuk do të lejohet të rifillojë pa u eliminuar mangësitë e konstatuara, pa u konfirmuar përmbushja e kritereve mikrobiologjike përmes analizave laboratorike dhe pa u verifikuar sërish kushtet e prodhimit nga inspektorët e Agjencisë.






















