AUV zbulon baktere në dy produkte mishi, urdhëron tërheqjen nga tregu
BKT
Ekonomi

AUV zbulon baktere në dy produkte mishi, urdhëron tërheqjen nga tregu

V.Th / RTKLive

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të bluar Premium “Qobani” dhe përshutës së gjedhit, të tregtuara nga rrjeti i marketeve VIVA FRESH, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar mospërputhje me kriteret mikrobiologjike.

Sipas njoftimit të AUV-së, në mishin e bluar të lotit 13112147 është konstatuar tejkalim i vlerave referuese të bakterit Escherichia coli, ndërsa në përshutën e gjedhit të lotit 1211695 është konfirmuar prania e bakterit Listeria monocytogenes.

Si rezultat, janë tërhequr dhe izoluar 35.7 kilogramë mish i bluar dhe 37.5 kilogramë përshutë gjedhi. Sasia e përgjithshme prej 73.2 kilogramësh do të asgjësohet nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë.

AUV ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë përgjatë zinxhirit të furnizimit, për të identifikuar burimin e kontaminimit.

Agjencia u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë blerë produktet me numrat e loteve të përmendura që të mos i konsumojnë dhe t'i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.


MË SHUME NGA Ekonomi