Treni godet 20-vjeçarin në Durrës
Një i ri mbeti i plagosur rëndë në Durrës pasi u përplas nga një lokomotivë treni teksa kalonte shinat me kufje në vesh. Ai është marrë përpara disa metra, ndërsa ndodhet në gjendje kritike. Ndërkohë dy drejtues mjetesh u shpëtuan mrekullisht pasojave të rënda, si pasojë e dy aksidenteve në aksin Elbasan-Korçë.
Një 20-vjeçar është plagosur dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi u përplas nga lokomotiva teksa kalonte shinat e trenit me kufje në vesh.
Ngjarja ndodhi pranë stacionit hekurudhor në qytetin e Durrësit.
I riu, dyshohet se për shkak të kufjeve nuk e ka dëgjuar zhurmën e lokomotivës që sipas burimeve lëvizte me shpejtësi 5 km për orë dhe e ka marrë për disa metra përpara.
Ai është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit ku ndodhet nën kujdes mjekësor.
Ndërkohë dy aksidente të tjera u regjistruan gjatë paradites në rrugën nacionale Elbasan-Korçë, që fatmirësisht rezultuan vetëm me të lënduar.
Një i ri humbi kontrollin e mjetit në segmentin Përrenjas-Qafë Thanë e për pasojë u përplas me një shtyllë në anë të rrugës.
Për pasojë drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Më herët një makinë u përplas me një furgon në Fushë Labinot të Elbasanit dhe përfundoi jashtë rruge.
Ndërkohë një këmbësore mbeti e plagosur lehtë në Fier pasi u përplas nga një makinë pranë Shkollës “Petro Sota”./oranews/























