VIDEO - 32 fshatra të Komunës së Gjakovës bëhen me ujësjellës
Pas raportimi të RTK-së se 32 fshatra të Rekës së Keqe të Komunës së Gjakovës për gjysmë shekulli nuk kanë ujë, autoritet komunale dhe ato të ujësjellësit janë vënë në lëvizje.
Projekti që kishte nisur kohë më parë, tashmë është rrugës së finalizimit. Sipas zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit "Gjakova", 1 tetori i këtij viti do të jetë dita kur banorët e këtyre fshatrave do të furnizohen me ujë.
Projekti i vonuar i ujësjellësit për banorët e 32 fshatrave të Rekës së Keqe është duke shkuar drejt finalizimit.
Ndonëse në terren shumë të vështirë ,ekipi i RTK-së ishte në vend punishtet ku është duke u realizuar ky projekt.
Nga Batusha e deri të vendburimi i ujit në Bjeshkën e Babajve të Bokës, janë rreth 8 km rrugë malore përgjatë së cilës është duke u shtri rrjeti i ujsëjellësit.
Zyrtarët e Kompanisë Rajonale të Ujit “Gjakova” thanë se deri më tash është përfunduar rreth 70 % e këtij projekti kapital për mijëra banorë të kësaj ane.
Ismet Ahmeti, drejtor ekzekutiv i KRU “Gjakova” fton konsumatorët që prej tash të fillojnë punën e tyre, përkatësisht përgatitjen e lidhjeve të nevojshme sanitare ,sepse sipas tij në fillim të tetorit projekti do të finalizohet.
E më së shumti ujësjellësit të ri po i gëzohen banorët e këtij lokaliteti ,shumica e të cilëve i kanë liruar pronat e tyre pa asnjë kompensim .
Projekti i Ujësjellësit për rreth 20 mijë banorë të Rekës së Keqe kap koston rreth 2 milion e 200 mijë € ndërsa është investim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës, Komunës së Gjakovës dhe Kompanisë rajonale “Gjakova”























