Arrestohen tre të dyshuar për grabitje me armë në Raushiq
Të shtunën e 3 gushtit në fshatin Raushiq të Pejës ka ndodhur një grabitje e armatosur dhe pas një pune intensive operativo-hetimore të njësitit rajonal, dje janë arrestuar tre persona të dyshuar, dy prej të cilëve janë të mitur.
Sipas viktimës derisa ishte duke udhëtuar me veturë e ka vërejtur një pengesë në rrugë. I njëjti ka ndaluar për ta larguar pengesën, por në atë çast kanë dalë të dyshuarit ku njëri nga ta kishte një armë në dorë.
Nën kanosje ata kanë marrë çantën në të cilën gjendeshin rreth 226 euro dhe 100 franga, duke u larguar në drejtim të panjohur.
Viktima e rastit është goditur disa herë nga të dyshuarit dhe ka pranuar tretman mjekësor ku sipas mjekut ka pësuar lëndime të lehta.
Me vendim të prokurorit të shtetit ndaj njërit të dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve dhe për personin e mitur 24 orë, ndërsa për njërin nga personat e mitur është liruar në procedurë të rregullt, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.























