E detyruan të paguajë 90.000, 1 muaj paraburgim për fajdexhinjtë
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar 1 muaj paraburgim ndaj tre personave për veprën penale të fajdes.
Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve I.D, B.N dhe A.GJ, për shkak të dyshimit të bazuar se nga viti 2015 e gjerë me datë 15.08.2019, në Pejë, kanë kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për viktimën V.SH dhe atë duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, duke i shkaktuar humbje financiare në shumë prej 90.000 euro, në atë mënyrë që fillimisht viktima nga i pandehuri B.N, në vitin 2015, kishte huazuar të holla në shumë prej 1.700 euro, si borxh me qëllim për ta dërguar vëllain jashtë shtetit dhe për këtë shumë viktima deri me datë 15.08.2019 ishte detyruar të paguaj kamatë në shumë prej 90.000 euro, në vende dhe periudha të ndryshme kohore, këtu të pandehurve B.N, I.D dhe A.GJ, të gjithë këta në marrëdhënie familjare në mes vete, mirëpo në momentin që viktima nuk kishte arritur që të pandehurve t’iu sigurojë borxhin – kamatën e fundit në shumë prej 19.000 euro, i njëjti nga të pandehurit ishte detyruar që pllacin të cilin iu kishin ndarë familjeve të dëshmorëve, këtu familjes së viktimës, viktima t’ia bartë blerësit të kontraktuar nga të pandehurit.
Me datë 15.08.2019, kur viktima kishte për të shkuar te Noteri për bartjen e pronës, nga presioni tenton të kryej vetëvrasje mirëpo, fatmirësisht arrijnë që ta dërgojnë në spital dhe tani është jashtë rrezikut për jetë.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të fajdes.
Të pandehurve I.D, B.N dhe A.GJ iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.























