Zgjerohet lista për zonat kombëtare të mbrojtura
Sharr Travel

Zgjerohet lista për zonat kombëtare të mbrojtura

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës gjatë vitit 2019 ka realizuar hulumtimin e vlerave natyrore në komunën e Prizrenit dhe ka përfunduar studimet për vlerat natyrore në komunën e Gjilanit dhe Vitisë. Të gjitha këto aktivitete janë realizuar në koordinim me drejtorit përgjegjëse të komunave përkatëse.

Hulumtimi i vlerave natyrore në komunën e Prizrenit është realizuar gjatë periudhës maj- tetor, me që rast janë vizituar të gjitha vendbanimet e komunës së Prizrenit në të cilat janë evidentuar 20 vlera të reja natyrore nga të cilat për miratim kuvendit komunal i është propozuar lista prej 13 zonave.

Në komunën e Gjilanit dhe të Vitisë, procesi i hulumtimit të vlerave natyrore ishte realizuar paraprakisht, ndërsa gjatë vitit 2019, janë përgatitur elaboratet e studimit për gjithsejtë 20 vlera natyrore: 13 në Komunën e Gjilanit dhe 7 në komunën e Vitisë. Studimet janë përcjellë për miratim nga kuvendet komunale, dhe pas miratimit vlerat natyrore të këtyre dy komunave do të shtohen në Listën e Zonave të Mbrojtura të Kosovës.

Gjatë vitit 2019, pas miratimit nga kuvendet komunale, listës së zonave të mbrojtura i janë shtuar edhe 16 vlerat natyrore nga të cilat 12 në komunën e Mitrovicës dhe 4 në komunën e Obiliqit.

Gjithashtu në përfundim është edhe paraditja e studimit për marrjen në mbrojtje të ekosistemit të llojit endemik Boshta (Forsythia europea) në masivin e “Goleshit“ si monument i mbrojtur i natyrës.