Policia Kufitare godet një rast të kontrabandës, në pranga një person
Sharr Travel

Policia Kufitare godet një rast të kontrabandës, në pranga një person

Policia Kufitare e Shqipërisë në kuadër të parandalimit të paligjshmërisë, goditi sot një rast të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë.

Policia e Shtetit sqaroi se “në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative se një autobus i linjës Athinë-Vlorë, në të cilin kishte dhe mallra të fshehura me qëllim mospagimin e detyrimit doganor, do të hynte në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet doganore kryen një kontroll në këtë mjet”.

Po ashtu Policia shpjegon dinamiken e operacionit ku sqaron se “gjatë kryerjes së kontrollit, në pjesën e brendshme të autobusit, në një vend të përshtatur në pjesën e kondicionerit dhe në pjesën e tualetit u gjeten dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 63 steka cigaresh, si dhe në bagazhin e mjetit u gjetën dy valixhe me konfeksione, të cilat do të futeshin kontrabandë në vendin tonë”.

“Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P. Gjirokastër u arrestua në flagrancë shtetasi B. L., 40 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit”, shprehet Policia.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabandë me mallra të tjerë”.