Vidhte automjete në Tiranë, kapet hajduti
Një 25-vjeçar u arrestua nga policia e Tiranës gjatë tentativës për të vjedhur dy automjete.
Në pranga ka rënë shtetasi Xh. Ll., lindur dhe banues në Tiranë.
I riu u kap dhe u arrestua në flagrancë në bulevardin “Bajram Curri” në tentativë për të vjedhur në 2 automjete të parkuara pranë një pallati.
Në momentin që kishte thyer xhamat trekëndësh të dy automjeteve një banor ka njoftuar Policinë. Falë reagimit të shpejtë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2 që patrullonte në territor, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.
Nga hetimet paraprake të policisë, rezultoi se ky shtetas ka vjedhur në pesë automjete të ndryshme, në një kompleks pallatesh në Tiranë, duke përvetësuar sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, po ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes në dy lokale, njëri në rrugën “Dritan Hoxha” dhe tjetri në rrugën “Lavdie Petrela”, Tiranë, territor që mbulohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, Tiranë.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja" më shumë se një herë, në ngarkim të shtetasit Xh. Ll./oranews/























