Për dy muaj 246 gra pësuan nga dhuna në familje
BKT
Kronika

Për dy muaj 246 gra pësuan nga dhuna në familje

Kosovarët po vazhdojnë ta marrin drejtësinë në duar, duke u munduar që problemet familjare t’i zgjidhin në formë primitive. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, 311 raste janë raportuar në polici si dhunë në familje. Nga rastet e raportuara, 246 kanë qenë të gjinisë femërore e 76 të gjinisë mashkullore

Dy muaj kishte pritur ta raportonte dhunën në familje. Edhe kur gruaja nga Prishtina shkoi në polici dhe tregoi se e kishte rrahur burri, organet e hetuesisë s’e arrestuan dhunuesin.

Në statistikat që Gazeta Express ka siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2020, nga 311 raste të dhunës në familje të raportuara, rezulton se 246 viktima kanë qenë gra dhe 76 burra.

“Në janar 2020, janë evidentuar 160 ‘Dhunë në familje’ , viktimë të rasteve kanë qenë 122 femra dhe 41 meshkuj, dyshohet për një rast vrasje (rasti i Prizrenit, me dy viktima)”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Viktima të dhunës në familje gjatë muajit janar, kanë qenë më së shumti personat e moshës 20-30 vjeçare.

“Viktima të ‘Dhunës në familje’, nën moshën 18-vjeçare kanë qenë dy femra dhe dy meshkuj. Kurse grup-mosha me viktima më të shumta për këtë periudhë është: 20-30 vjeçare me 39 viktima dhe 30-40 vjeçare janë 37 viktima”, thekson policia.

Ndërkohë, nga rastet e raportuara në polici del se rajoni me numër më të madh të rasteve është Prishtina me 54 raste, pasuar nga Ferizaj me 23 raste.

E gjatë muajit shkurt, në vend janë raportuar 151 raste të dhunës në familje. 124 viktima kanë qenë të gjinisë femërore, e 35 të gjinisë mashkullore.

“Në shkurt 2020, janë evidentuar 151 ‘Dhunë në familje’ , viktimë të rasteve kanë qenë 124 femra dhe 35 meshkuj, dyshohet për një rast vrasje (rasti i Gjilanit, me 4+1 viktimë). Viktima të ‘Dhunës në familje’, nën moshën 18 vjeçare kanë qenë katër femra dhe pesë meshkuj. Kurse grup-mosha me viktima më të shumta për këtë periudhë është: 20-30 vjeçare me 46 viktima dhe 30-40 vjeçar janë 35 viktima. Rajoni me numër më të madh të rasteve është Prishtina me 48 raste, pasuar nga Ferizaj me 24 raste”, theksohet në përgjigjen e policisë.

Ndërkohë, viti 2019 ishte i dhunshëm. Babai rrahu vajzën, bashkëshorti gruan, fëmijët rrahën prindërit e edhe gratë i rrahën burrat e tyre.

Nuk kaloi ditë pa u raportuar dhunë familjare në polici. Viti që lamë pas shënon plot 1 mijë e 978 raste të dhunës në familje. Prishtina mban rekordin e rasteve të rrahjeve brenda familjes që u raportuan në polici.

Në statistikat e siguruara nga Policia e Kosovës, thuhet se 1 mijë e 978 raste të dhunës në familje janë raportuar në polici gjatë vitit 2019. Kjo shifër ka shënuar ngritje, krahasuar me vitin 2018 ku ishin 1 mijë e 533 raste të tilla.

Në këto raste, 1 mijë e 557 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje. Këtu përfshihen rastet e dhunës nga burrat ndaj bashkëshorteve, nga vëllezërit ndaj motrave, gjyshërve ndaj mbesave, e të tjera lidhje familjare.

Ndërkaq, numri i rasteve kur burrat kanë qenë viktima të dhunës në familje është 365.

“Janë evidentuar pesë raste të vrasjeve brenda familjeve. Viktima të ‘Dhunës në familje’, nën moshën 18 vjeçare kanë qenë 26 femra dhe 17 meshkuj. Kurse grup-mosha me viktima më të shumta për këtë periudhë është: 30-40 vjeçare me 542 viktima dhe 20-30 vjeçar janë 516 viktima. Rajoni me numër më të madh të rasteve është Prishtina me 595 raste, pasuar nga Prizreni me 286 raste. Relacionet familjare mes të përfshirëve në dhunë, rastet më të shumta janë evidentuar mes bashkëshorteve 69 raste, pasuar nga relacioni baba-djalë me 25 raste”, thuhet në përgjigjen e policisë.


MË SHUME NGA Kronika