Edhe prizrenasit furnizohen me ushqime
Valbona Musliu
Përhapja në masë të madhe e koronavirusit në shtete të ndryshme të botës, ka shtyrë qytetarët e Prizrenit dhe jo vetëm, që të furnizohen me ushqim. Mielli, vaji dhe sheqeri, janë artikujt më të kërkuar, thonë pronarët e qendrave tregtare. Ndërkohë, qytetarët thonë se është më shumë paniku që i ka kapluar. E në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës thonë se nuk ka pas asnjë ndalesë importi për vendet tjera sa i përket qarkullimit të produkteve ushqimore.
Asnjë rast me koronavirus nuk është shënuar në Kosovë. Por, banorët e Prizrenit, qytet ky qe është në kufi me Shqipërinë, kanë nisur furnizimin në masë të madhe me artikuj ushqimor. Thonë se rastet e paraqitura në Shqipëri me këtë sëmundje ngjitëse, u kanë shkaktuar frikë.
“S’ka ende asgjë, por po bëjnë panik. Mungesë e miellit e sheqerit po shihet. Me që në Kosovë nuk ka ndonjë rast s’ka nevojë të bëhet panik, përderisa çdo gjë është duke u kontrolluar.
Se furnizimi i qytetarëve po bëhet në masë të madhe, këtë e dëshmojnë edhe raftet pothuajse të zbrazura të maketeve dhe qendrave tregtare. Irfan Fusha pronar i qendrës më të madhe tregtare 'Abi' thotë se gjatë 24 orëve të fundit qarkullimi është rritur deri në 40 përqind. Mielli, vaji dhe sheqeri janë më të kërkuarat, tregon Fusha për Radio Kosovën. Ai tha se janë të furnizuar mirë me të gjithë artikujt.
“Sipas rezultateve, dje dhe sot, rreth 30-40 përqind e kemi rritjen e shitjes së mallit . Janë artikuj të veçantë, sikur mielli vaji, sheqeri. Kemi furnizim për qytetarë dhe nuk kanë arsye të brengosën” thotë Fusha.
Ndërkohë, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës thonë se nuk ka pas asnjë ndalesë importi per vendet tjera, sa i përket qarkullimit të produkteve ushqimore, pasi nuk është vërtetuar se virusi mund bartet përmes produkteve ushqimore . E komuna e Prizrenit ka bërë bashkë të gjitha institucionet arsimore, shëndetësore dhe të sigurisë, me ç’rast është diskutuar për marrjen e masave mbrojtëse nga koronavirusi. Pritet themelimi i një trupi të përbashkët koordinues lokal për menagjimin e situatës dhe njëkohësisht të vazhdohet me fushata vetëdijesuese tek qytetarët.























