Apeli lë në paraburgim të dyshuarit për vrasjen e 17-vjeçarit në Prishtinë
BKT
Kronika

Apeli lë në paraburgim të dyshuarit për vrasjen e 17-vjeçarit në Prishtinë

Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për caktimin paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj dy të dyshuarve për vrasjen në Prishtinë të 17-vjeçarit me inicialet L.B, më 12 mars.

Të dyshuarit me inicialet E.I dhe E.M, janë po dyshohen se kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit Arbër Jashari.

“Kjo gjykatë i ka refuzuar ankesat e mbrojtjes së të dyshuarve, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Apeli ka vlerësuar se gjykatësi i procedurës paraprake drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kusht ky qenësor për caktimin e paraburgimit “.

Jashari shtoi se kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

“Pasi që ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes për të pandehurit, pasi dyshohen për vepra të rënda penale, për të cilat edhe parashihen dënime të larta burgimi dhe se pas kryerjes së veprës penale kanë ikur derisa policia i ka identifikuar dhe arrestuar, prandaj me këto rrethana qartazi tregohet rreziku i ikjes”.

Gjithashtu, në vendim të Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se ekzistojnë rrethana se nëse të pandehurit mbrohen në liri ka arsye për të besuar se do të asgjësojnë, fshehin provat e veprës penale dhe ndikojnë te dëshmitarët, si dhe dëshmitarët e mundshëm gjatë rrjedhës së kësaj procedure penale, të ndikojnë te njëri-tjetri pasi që veprën penale e kanë kryer në bashkëveprim, kurse dëshmitarët ende nuk janë dëgjuar.


MË SHUME NGA Kronika