Haxhiu akuzon Thaçin për përfshirje në proces të paligjshëm
BKT
Kosovë

Haxhiu akuzon Thaçin për përfshirje në proces të paligjshëm

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi për përfshirje në një proces, siç është shprehur ajo, të paligjshëm dhe klandestin me rastin e formimit të qeverisë së re.

Ajo ka thënë se presidenti Thaçi i ka dërguar dy letra kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, me aludimin për të kërkuar propozimin e mandatarit për kryeministër, por nuk i ka publikuar për publikun.

“Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti mendojnë se kanë bazë kushtetuese për veprimet e tyre, atëherë pse nuk po i bëjnë publike letrat dhe pse po i ikin transparencës?! Të vetëdijshëm se ajo çfarë po bëjnë nuk parashihet me Kushtetutë, rrjedhimisht ndalohet, presidenti është përfshirë në një proces tërësisht të paligjshëm e klandestinë, përveçse edhe në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot, janë bërë shtatë ditë nga kur presidenti Thaçi jashtë autorizimeve kushtetuese dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, mblodhi partitë politike dhe paralajmëroi veprime antikushtetuese për krijimin e një Qeveri të re. 

Që nga ajo ditë, Thaçi i ka dërguar dy letra kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, me aludimin për të kërkuar propozimin e mandatarit për kryeministër. Por, qytetarët e vendit, mediat dhe publiku i gjerë nuk i ka parë këto letra.

Të bindur edhe vetë se janë duke bërë shkelje të shumëfishtë të Kushtetutës po përpiqen të mos lënë gjurmë dhe të zhdukin ato, duke fshehur letrat dhe bazën kushtetuese që nuk e kanë. 

As sot e asaj dite, as presidenti dhe as LDK nuk i kanë publikuar këto letra, përmbajtjen e tyre dhe se në cilin nen apo paragraf të Kushtetutës është bazuar Presidenti për një veprim të tillë. Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti mendojnë se kanë bazë kushtetuese për veprimet e tyre, atëherë pse nuk po i bëjnë publike letrat dhe pse po i ikin transparencës?!

Të vetëdijshëm se ajo çfarë po bëjnë nuk parashihet me Kushtetutë, rrjedhimisht ndalohet, presidenti është përfshirë në një proces tërësisht të paligjshëm e klandestinë, përveçse edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë