Pishina e Gërmisë në përgaditje finale pritet rekomandimi nga IKSHP
Fatmire Dodaj
Pishina e Gërmisë në Prishtinë është duke i bërë përgatitjet finale për hapjen e sezonit veror.
Kështu tha për Radio Kosovën, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Sport Marketing”, Liridon Llapashtica.
Ai shtoi se janë duke pritur rekomandimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për të bërë publike datën e hapjes së pishinës.
Pishina e Gërmisë ka filluar të mbushet më ujë qe 2 javë nga burimet e maleve të Gërmisë. Ndërkohë janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e sezonit verore. Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Sport Marketing”, Liridon Llapashtica, ka thënë për Radio Kosovën se po presin rekomandimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për të bërë publike datën se kur do të hapet pishina.
“Pishina po mbushet me ujë natyral që vjen prej maleve të Butovcit të Gërmisë. Ne, në datat që janë të parapara me rregulloren brenda ndërmarrjes, kemi filluar mbushjen para dy javësh dhe mendojë se jemi në kohë dhe po presim dritën e gjelbër se kur do të bëjmë publike datën e hapjes së pishinës", ka thënë Llapashtica.
Sipas Llapashticës, risi këtë vit do të jetë ueb faqja e Ndërmarrjes “Sport Marketing”, ku qytetarët mund të marrin të gjitha informacionet rreth organizimeve, mënyrës së blerjes së biletave si dhe rreth aktiviteteve gjatë sezonit veror.
“Sport Marketing” do të këtë ueb faqen e saj. Kjo do të jetë një risi për të gjithë, ku tash e tutje do të mund online t’i prenotojnë biletat. Po ashtu brenda pishinës do të ketë aktivitet të ndryshme sportive, kulturore. Gjatë gjithë sezonit do të këtë uaterpolo, po ashtu do të kemi gara të notit dhe do të jetë e hapur edhe shkolla e tenisit", ka shtuar ai.
Zyrtarisht pishina e Gërmisë hapet në muajin qershor, por këtë vit për shkak të pandemisë ende nuk është bërë e ditur ndonjë datë. Rekomandimet për hapjen e pishinës pritet t’i japë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.























