Kërkuan 25 mijë euro përmes Facebook, arrestohen dy persona në Lipjan

Kërkuan 25 mijë euro përmes Facebook, arrestohen dy persona në Lipjan

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Lipjan, pasi këta të fundit kishin shantazhuar një person tjetër përmes Facebook-ut duke kërkuar para në shkëmbim të mos publikimit të disa fotografive intime në rrjetin social.

B.SH. (1997) Lipjan dhe F. S. (1996) Mitrovicë, më 15.10.2020, kishin kërkuar 25.000 euro nga një person tjetër, në mënyrë që të mos publikojnë fotografitë, të cilat sipas tyre do të ndikonin në imazhin e tij dhe familjes së tij, duke e kërcënuar vazhdimisht se “nëse nuk i jep paratë do ta dëmtojnë atë dhe familjen e tij”.

Me këtë rast dyshohet se të dyshuarit me qëllim të përfitimit material kanë kryer veprat penale “Shantazhi” dhe Kanosja.

Drejtoria për Hetime të Krimeve të Rënda në Prishtinë nën autorizimet e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar hetime në këtë rast dhe mbrëmë rreth orës 17:25 në qytetin e Lipjanit ka arrestuar personat e dyshuar.

Nga të dyshuarit janë sekuestruar tre telefona, dy Iphone dhe një Samsung dhe një USB në cilësi të provave materiale.

Pas kontaktit me prokurorin kujdestar në Mitrovicë, të dyshuarit është vendosur të dërgohen në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.