Organizata “Qika” kërkon rigjykim për Suzana Zogiani-Sekiraqën

Organizata “Qika” kërkon rigjykim për Suzana Zogiani-Sekiraqën

​​​​​​​Me sloganin “Rigjykim për Suzanën”, organizata “Qika” ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta rishqyrtojnë edhe një herë rastin e Suzana Zogiani-Sekiraqës, e cila në vitin 2018 kishte vrarë burrin e saj A.Sekiraqa.

Sipas drejtoreshës së kësaj organizate, Leonida Molliqaj, procesi i gjykimit të rastit të Suzanës është zhvilluar nën shkelje të shumta ligjore. “Organizata jonë beson se procesi gjyqësor ndaj Suzanës është zhvilluar mbi paragjykime për fajësinë e plotë të saj, duke ia shkelur të drejtën e saj në gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Aktgjykimi përfundimtar ka dalë si rezultat i një procesi gjyqësor të përcjellë nga shkeljet procedurale dhe shkelje të të drejtave fondamentale të Suzanës dhe si i tillë, ne kërkojmë që të anulohet menjëherë nga Gjykata Supreme e Kosovës, ashtu që Suzanës t’i mundësohet një proces i ri, një proces i drejtë gjyqësor, i cili do të mundësonte një shqyrtim të ri të aktakuzës ndaj saj”, ka thënë në një konferencë për media Molliqaj.

Raporti i publikuar nga organizata “Qika” ka theksuar tri pika kyç që evidentuan shkelje. Në pikën e parë thuhet se Gjykata Themelore kishte shkelur parimin e barazisë së palëve, duke i mohuar të akuzuarës kërkesën për ekzaminim psikiatrik të saj, duke arsyetuar se nuk kishte prova bindëse për të vënë në pikëpyetje aftësinë e veprimeve të Sekiraqës.

Pika e dytë cek se gjykata nuk kishte marrë parasysh rrethanat lehtësuese për këtë rast. Sipas nenit 70, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale, gjatë caktimit të dënimit gjykata merr parasysh rrethanat lehtësuese si: rrethanat personale të të akuzuarës, pranimin e fajit nga e akuzuara dhe keqardhjen e shfaqur nga ajo, e Suzana e kishte pranuar fajin dhe kishte shprehur keqardhje për rastin.
Pika e fundit flet për përdorimin e gjuhës denigruese ndaj të akuzuarës. “...edhe Hiçkoku do ia kishte zili të njëjtës (Suzanës) për ndërtimin e një skenari të tillë imagjinar” kishte thënë kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, të cilin e kritikon “Qika” për përdorim të gjuhës joprofesionale, paragjykuese dhe denigruese ndaj Suzanës.

Organizata “Qika” ka filluar hulumtimin e rastit pas emetimit të rrëfimit të Suzana Zogiani-Sekiraqës në emisionin “Cosmo” të KTV-së më 6 nëntor 2020. Raporti “Rigjykim për Suzanën” është publikuar në kuadër të fillimit të 16 ditëve aktivizim kundër dhunës me bazë gjinore nga fushata ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas. “Kemi tentuar që të sjellim dritë mbi këtë rast, në mënyrë që të ndihmojmë jo vetëm rastin e Suzanës, por të tregojmë për shkeljet të cilat iu kanë bërë specifikisht Suzanës, por edhe grave të tjera gjatë ballafaqimit me sistemin e drejtësisë në Kosovë”, ka thënë drejtuesja e “Qikës”.


MË SHUME NGA Nacionale