IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për dhunë në familje

IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për dhunë në familje

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje"

IPK ka pranuar mbrëmë informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Prishtinë ka kryer veprën penale dhunë në familje.

Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij.

Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.