​DnV: Partitë politike kanë thyer rregullat e pandemisë

​DnV: Partitë politike kanë thyer rregullat e pandemisë

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) thotë se partitë politike kanë thyer rregullat e pandemisë, teksa bënë të ditur se ligji rregullon çështjen për certifikimin e kandidatëve.

Ismet Kryeziu nga DnV ka ftuar partitë politike që të respektojnë procedurat e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse.

Ai në një konferencë për media ku ka shpalosur planin për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt, tha se si DnV dënojnë ashpër gjuhën linçuese ndaj kryetares së KQZ-së, Valdete Dakës.

Kryeziu: Dënojmë ashpër linçimin që i është bërë Valdete Dakës

 

“Dënojmë ashpër linçimin dhe presionin që i është bërë direkt kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka. Proceduarat për certifikimin e kandidatëve lidhur me vendimin e djeshëm të KQZ-së, për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, Ligji për zgjedhje të të përgjithshme rregullon këtë çështje, mekanizmat për certifikim të subjekteve politike dhe listat e kandidatëve. Prandaj, u bëjmë thirrje si DnV ju bëjmë thirrje subjekteve politike që të ndjekin procedurat për certifikim”, tha ai.

Kryeziu adresoi kritika edhe për fillimin e tubimeve elektorale para hapjes së fushatës në mënyrë zyrtare.

Ai u bëri thirrje edhe kandidatëve për deputetë që të mos mbajnë takime me qytetarë nëpër shkolla, nëpër oda apo kudo tjetër ku rrezikojnë përhapjen e koronavirusit.

Kryeziu: Partitë politike kanë thyer rregullat e pandemisë

 

“Në mungesë të një reforme zgjedhore partitë politike kanë vazhduar të përcjellin praktikat e kaluara që të fillojnë me fushatë zgjedhore para afatit kohor. Tanimë veç kemi partitë politike të cilat janë duke mbajtur takime politike të vazhdueshme me qytetarë. E rëndësishme ta përmendim është që gjatë këtij procesi partitë politike kanë thyer rregullat e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse në raport me COVID-19. Kemi në vazhdimësi numër të rritur të pacientëve me COVID, e që potencialisht fushata zgjedhore, takimet partive politike në ambiente të mbyllura me numër të madh të njerëzve, pa respektuar të gjitha rregullat, mund të jenë arsye e shtimit të numrit të të infektuarve”, tha Kryeziu.

Tutje, Kyreziu kërkoi nga partitë politike që të bëjnë publike financat e tyre,

Kryeziu: Partitë politike të bëjnë publike financat, të mos sulmojnë mediat

 

“Bëjmë thirrje që partitë politike të bëjnë transparente financat, jo vetëm të subjekteve të tyre, por edhe për të gjithë kandidatët që marrin pjesë në garën zgjedhore. Gjithashtu, shpenzimet duhet të jenë në raport me vendimet e KQZ-së, të cilat janë përcaktuar 50 centë për votues. [...] Ne i bëjmë thirrje partive politike që të mos cenojnë integritetin e mediave, mos të sulmojnë mediat. Mediat kanë të drejtën për të pasur deklaratat e tyre, madje për të pasur edhe orientimin e tyre politik”, u shpreh ai.

Ndërkaq 600 monitorues të DnV-së do të monitorojnë procesin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, ndërsa do të monitorojë edhe procesin e numërimit të zgjedhjeve.

Me këtë rast Kryeziu bëri të ditur se DnV ka ndërruar metodologjinë e monitorimit të zgjedhjeve.

Kryeziu: Ditën e zgjedhjeve do ta mbulojmë me 600 vëzhgues

 

“Dita e zgjedhjeve do të jetë dita që do ta monitorojmë me 600 vëzhgues, ku 500 nga ta do të jenë vëzhgues statik dhe 100 do të jenë të përfshirë në ekipe mobile. Normalisht, si gjithmonë DnV do ta ketë Qendrën e thirrjeve dhe Zyrën për komunikim me publikun dhe në fund presim që të kemi edhe rezultatet preliminare nga ana e DnV. Pas kësaj, DnV do të përcjell me vëzhgues statik gjatë këtij procesi deri në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve”, tha ai.

Krejt në fund, Ismet Kryeziu nga DnV ka komentuar edhe mospërfshirjen e OSBE-së në monitorimin e procesit zgjedhor në Kosovë, për çka tha se kualiteti i zgjedhjeve në Kosovë është ngritur në një nivel tjetër, duke i bërë i krahasueshëm me shtetet e BE-së.

Kryeziu: Mungesa e OSBE-së në vëzhgimin e zgjedhjeve do të na jepte më shumë vlerë në aspektin ndërkombëtar

 

“Mungesa e një misioni ndërkombëtar në vëzhgimin e këtij procesi, mendoj se është më tepër një vlerë që do t’ia jepte ne aspektin ndërkombëtar në zhvillimin e procesit sesa në ngritje tjera. Si mision vendor, ne jemi këtu për të raportuar për rregullsitë, vështirësitë. Realisht nuk presim të kemi vështirësi në këtë proces. Mendojmë që Kosova është e gatshme të ofrojë një proces të lirë, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, u shpreh ai.