Vërshime në Pejë, Klinë, Malishevë dhe Podujevë

Vërshime në Pejë, Klinë, Malishevë dhe Podujevë

Reshjet e borës të cilat kanë filluar që nga orët e para të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar sërish vërshime në disa regjione në vend.

Këto vërshime kanë prekur Komunën e Pejës, Malishevës, Klinës dhe Podujevës.

Në komunën e Malishevës, ka dal nga shtrati lumi Mirusha si dhe ka mbuluar dy ura me ujë.

Sipas një njoftimi në rrjetin social Facebook thuhet se është rritur niveli i ujit në lumin Mirusha dhe në rrjedhat tjera të ujërave, duke shkaktuar daljen nga shtrati të lumit, kryesisht në prona bujqësore, por edhe në rrugë.

Tutje në njoftim thuhet se si pasojë e intensitetit të lartë është bllokuar rruga Mirushë-Gurbardh, dhe vështirësi ka edhe në akset rrugore Malishevë-Kijevë, Malishevë-Banjë dhe Turjakë-Bubël, ndërsa rrugët në malet e Berishës, janë të kalueshme, pasi është larguar bora nga rrugët.

Ndërsa vërshime ka pasur dhe në Klinë, saktësisht në rrugën Gjakovë-Klinë, ku dy restorante “Ujëvara” dhe “Guri i Zi”janë mbuluar nga uji.

Por vërshime ka edhe në disa lagje të Komunës së Podujevës.

Sipas një njoftimi për media, lagjet të cilat janë vërshuar nga uji janë lagja “Shala”, “Tovërlanët dhe “Kërtokët”.

Ndërkaq, vërshime ka edhe në Baran të Pejës, ku uji ka mbuluar jo vetëm rrugët dhe pronat private dhe disa biznese.Telegrafi/