Ishte në kërkim për drogë, policia i gjen edhe 39 kg kanabis në banesë
Një sasi prej 39 kg lëndë narkotike cannabis sativa është sekuestruar në Krujë. Në pranga ka rënë poseduesi i saj, një 38-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas i shpallur në kërkim fshihej në banesë dhe dispononte lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Hamid Ferra të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim” njofton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës dhe në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 39 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan në flagrancë shtetasin Hamid Ferra, 38 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme./oranews























