Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që bashkëjetonte me një të mitur

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që bashkëjetonte me një të mitur

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit S.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet’”.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 19 Korrik 2020, në komunën e Vitisë, i pandehuri S.R., edhe pse ka qenë në dijeni se e mitura është nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, me dashje ka krijuar bashkësi jashtëmartesore me të, me ç’rast e mitura tani është duke u trajtuar në QKUK, në Prishtinë për shkak të problemeve me shtatzëni”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën e sipërshënuar penale, për të cilën gjendet në ndalim 48 orësh.

Lidhur me këtë rast, ka dhënë detaje edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Nga QKUK raportohet se një viktimë femër kosovare (e mitur), është duke u trajtuar dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar bashkëshorti i saj dhe me vendim të prokurorit, i njëjti dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.