Kontrabandë me mallra e migrantë e kalime ilegale të kufirit në 24 orë
Policia kufitare e Kosovës në 24 orët e fundit është përballut nga rastet më të ndryshme kriminale, duke filluar nga kalimi ilegal i kufirit e deri te kontrabandimi me migrantë.
Në Leposaviq policia gjatë kontrollit të një automjeti ka gjetur një sasi kabllo të rrymës që po kontrabandohej, malli është konfiskuar dhe është dërguar në terminalin doganor, të arrestuarit janë liruar, shkruan lajmi.net.
“Leposaviq 16.04.2021-18:30. Është raportuar se gjatë kontrollit në automjetin e dy të dyshuarve meshkuj është gjetur një sasi kabllo e rrymës ku dyshohet se të njëjtit kanë kaluar ilegalisht kufirin duke bërë kontrabandimin e mallit. Malli i është konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në raportin e policisë.
E në Prizren, policia u përball me kontrabandë me migrantë. Një shtetas i Maqedonisë së Veriut me kamionin e tij i ka kontrabanduar pesë refugjatë shtetas të Afganistanit të cilët janë dërguar në qendrën e strehimit për azil.
“Prizren 16.04.2021-18:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut me kamionin e tij i ka kontrabanduar pesë refugjat shtetas të Afganistanit të cilët janë dërguar në qendrën e strehimit për azil. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.”, thotë policia e Kosovës.
Gjithashtu, në Gjilan policia kufitare ka kapur një tentim kontrabande me mallra. Në automjetin e një shtetasi të Serbisë janë kapur preparate për spërkatjen e pemëve dhe perimeve pa dokumente.
“Dheu i Bardh, Gjilan 16.04.2021-20:45. Është raportuar se gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit mashkull shtetas të Serbisë i janë gjetur preparate për spërkatjen e pemëve dhe perimeve pa dokumente përkatëse duke kaluar ilegalisht kufirin. Me vendim të prokurorit, vetura dhe malli i janë dërguar në terminalin doganor ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.”, thonë nga policia e Kosovës.























