Vaksinohen 750 persona mbi moshën 65 vjeçare në Prishtinë

Vaksinohen 750 persona mbi moshën 65 vjeçare në Prishtinë

Koordinatori i Qendrës së vaksinimit në Prishtinë Niman Bardhi, në konferencë për media tha se gjatë ditës së sotme janë vaksinuar 750 persona mbi moshën 65 vjeçare.

Bardhi ka bërë të ditur se në total numri i të vaksinuarve ka shkuar në rreth 30 mijë, duke shtuar se interesimi është i madh për të marrë vaksinën nga kjo grup-moshë.

“Sot është dita e parë me radhë nga 65 vjeç e mbi për të moshuarit që kanë bërë aplikimin në platformën online e-Kosova, por edhe ata që nuk kanë mundur të aplikojnë. Aktualisht të vaksinuar vetëm sot janë rreth 750 persona, ndërsa numri total rreth pesë mijë të vaksinës Pfizer. Nëse flasim nga dita e parë nga 29 marsi atëherë kemi rreth 30 mijë vaksina të aplikueshme”, tha Bardhi.

Po ashtu tha që janë shtuar edhe ekipet e Policisë së Kosovës për të menaxhuar situatën, por që nuk ka pasur parregullsi.

“Nuk është e vërtetë që sot është vaksinuar dikush nga personeli shëndetësor ashtu siç është potencuar, pasi sot vetëm të moshuarit mbi moshën 65 vjeç”, tha Bardhi.

Sot kanë arritur edhe 38 mijë e 400 vaksina kundër COVID-19 në vend.

Lajmi u bë i ditur nëpërmjet faqes së UNICEF-it dhe zyrës së Kryeministrit, teksa u bë e ditur se shpërndarja e tyre do të bëhet në përputhje me Planin Kombëtar të vaksinimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

UNICEF-i ka bërë të ditur se Kosova në fillim të muajit qershor do të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 doza të vaksinës Anti-COVID nga COVAX.