​Ndahet nga jeta mjeku Bedri Bimbashi

​Ndahet nga jeta mjeku Bedri Bimbashi

Në moshën 63-vjeçare pas një ataku kardiak, ka ndërruar jetë doktori njëherësh shefi i Repartit të Fiziatrisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës doktor Bedri Bimbashi.

Oda e Mjekëve të Kosovës me këtë rast ka ngushëlluar familjen Bimbashi, kolegët dhe miqtë e të ndjerit.

Bedri Bimbashi, shërbimin në mjekësi e filloi në Skenderaj, në vitin 1985 deri në shtator 1999, në QKMF Skenderaj, në departamentin e emergjencës.

Ai ka shërbyer dhe gjatë luftës në QKMF dhe ambulanca në fshatra të ndryshme në Skenderaj, për të ju ofruar ndihmë qytetareve të kësaj ane.

Pas vitit 1999, Bimbashi, profesionin e zhvillon në Mitrovicë, në Spitalin Rajonal "Dr. Sami Haxhibeqiri”, në pozitën e mjekut fiziatër, ku më pas zgjidhet edhe shef i repartit të Fiziatrisë, ku ka qenë i angazhuar deri tani.

Ndryshe, studimet për mjekësi e përgjithshme dhe specializimin për fiziatri i kreu në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës. Në vitet 1982-1985 ligjëroi në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë, lëndët Anatomi dhe Farmakologji. 

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në fshatin Llaushë të Skenderajt në orën 15:00.