Topi: SHBA ka shumë informacione, reagimi institucional jo personal
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi sot se “vendimi i DASH për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili u shpall “non grata” së bashku me familjen e tij, nuk është një vendim personal por është një vendim institucional”.
I ftuar në një studio televizive, Topi tha se vendimi i SHBA-së funksionon mbi bazën e institucioneve dhe se ka shumë informacion para se të marrë një vendim të tillë.
“Është një rast shumë i veçantë, presupozohet të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme në marrëdhënie me aleatin tonë më të madh në një marrëdhënie shumë strategjike shumë vëllazërore dhe besoj se është një ngjarje që ka dy këndvështrime është një këndvështrim në terma jurdik pasi ka të bëjë ekskluzivisht me territorin amerikan. Askush nuk mund të jetë me privilegjin për të marrë një përgjigje, është një drejtë ekskluzive që sigurohet mbi bazën e një informacioni të gjerë që nuk është personal, por institucional. Kanë një dimension politik, të kësaj marrëdhënie sepse prek një marrëdhënie historike strategjike, dhe prek individualisht një politikan që ka qenë dhe president dhe kryeministër”, tha ai.
Topi tha se “reagimi është një reagim zyrtar dhe jo personal është institucional”. “SHBA funksionon mbi bazën e institucioneve. Ata kanë shumë informacion, madje kanë më shumë sesa mendojmë ne”, tha ai. /atsh























