Karaburuni ‘mbytet’ në hashash, 577 kg u gjenden 3 personave me gomone
Vlora ka riaktivizuar trafikun e drogës me ngrohjen e kohës, ashtu si çdo sezon tjetër pragveror dhe gomonet janë lëshuar nëpër det, sa në pyllin e Sodës dhe sa në gjij dhe gadishuj si Karaburuni, për të çuar frytet e të mbjelljeve në Itali.
Një ngarkesë e tillë është kapur nga policia lokale e cila tha sot se ka arritur të prangosën dhe tre persona që dyshohen si të përfshirë në këtë aferë narkotike.
Të arrestuarit janë Mandi Begaj, 43 vjeç, Herman Muçaj, 27 vjeç, Engjëll Mukaj 34 vjeç, që të tre banues të Vlorës, raporton noa.al duke cituar burime nga policia lokale.
Ata u kapën përmes operacionit antidrogë të koduar “Karaburuni”, për goditjen e një tentative për trafikim të lëndëve narkotike drejt Italisë.
Operacioni u krye nga Shërbimet e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe disa struktura të tjera shtetërore shqiptare dhe italiane.
Nën sekuestro janë vendosur 577 kg lëndë narkotike kanabis, ku një pjesë ishte në formë çokollate, si dhe një mjet lundrues gomone.
Dinamika e ngjarjes nis dje pasdreke kur u morën sinjale se një gomone po tentonte Italinë.
Gjiri i Dafinës në Karaburun, një plazh i mrekullueshëm që përdoret nga trafikantët
Ndjekja nga deti dhe toka zgjati disa orë. Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes.
Portali lokal Vloranews publikoi pamjet që gjeni më poshtë dhe në galeri. Siç edhe shihet në pamje, aksionin e ka kurorëzuar me sukses pala italiane që ka kapur me Guardia di Finanza skafistët shqiptarë.
Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e të cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate.
Megjithatë ende nuk është bërë një zbardhje e plotë e tentativës për trafikim të lëndës narkotike, e për më tepër, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. /noa.al























