Reçica kritikon Qeverinë për anashkalimin e Ferizajt
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në Kuvendin e Kosovës, ka ngritur dy çështje lidhur me nevojat e qytetarëve të Ferizajt si regjion. Reçica ka diskutuar rreth përfundimit të projektit të Ibër – Lepencit dhe funksionalizimit të Spitalit Regjional të Ferizajt.
“Çështja e parë që kam ngritur, ka të bëjë me hidrosistemin e Ibër – Lepencit, i cili është një projekt i një rëndësie të veçantë dhe me vlerë strategjike për mirëqenien e qytetarëve të regjionit të Ferizajt. Ky projekt i viteve të shtatëdhjeta, nuk është realizuar në tërësi ende, pasi që është realizuar vetëm projekti i Ibrit. Jo edhe ai i Lepencit. Ky projekt për ujë të pijshëm në aspektin afatgjatë, por edhe çështja e ujit të nevojshëm industrial si dhe ujit për ujitje, duke veçuar këtu Ujëmbledhësin e Jezercit, për Kosovën Qendrore, veçanërisht për Komunën e Ferizajt, Shtimes, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Shtërpcës dhe Vitisë, është jetik dhe shumë i rëndësishëm.”, ka thënë ai.
Sipas tij është për keqardhje që Qeveria Kurti nuk ka as edhe interesimin më të vogël për implementimin e projektit të Lepencit, përfshirë edhe Ujëmbledhësin e Jezercit.
Tutje, deputeti Reçica ka kritikuar ministrin Arben Vitia për zvarritje të funksionalizimit të Spitalit Regjional të Ferizajt, ndërtimi i të cilit është paraparë të përfundojë më 15 qershor 2021.























