Kërkohet verifikimi pëmes analizës së gjakut për 400 mostrat në morg
BKT
Kosovë

Kërkohet verifikimi pëmes analizës së gjakut për 400 mostrat në morg

Drita Vitia

Këshilli Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të merren për verifikim, mostrat e ADN-së nga rreth 400 trupa që gjenden në Morgun e Prishtinës. Kryetari i këtij këshilli Ahmet Grajqevci, i tha Radio Kosovës se është i bindur që shumica prej tyre janë trupa të luftës së fundit në Kosovë dhe se i kanë dhënë qeverisë, 6 muaj ultimatum për ta bërë këtë.

Kryetari i Këshillit Kordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, Ahmet Grajqevci, ka kërkuar nga institucionet qeveritare, sensibilizimin e çështjes së analizave të ADN-së për mbetjet mortore që gjenden në Morgun e Prishtinës.

Grajqevci, në një intervistë për Radio Kosovën, ka thënë se identifikimi i trupave përmes rrobave që i kanë pas veshur dhe tërheqja e tyre me leje të Tribunalit të Hagës, nuk është e saktë. Andaj ka kërkuar verifikimin e trupave përmes analizës së gjakut.

Dëshira jonë kish me qenë që të gjithë të përmbyllen, por mundet me qenë ndonjë që nuk mund ta gjejmë. Por ne i kemi dhënë ultimatum Qeverisë të formoj kapacitete që t’i qasemi këtij problemi brenda këtij gjashtëmujori, deri në dhjetor, të jenë të përgatitur për t’i marrë analizat e ADN-së për shkak të këtyre 400 mostrave që rrinë në Morgun e Prishtinës ”, ka thënë Grajqevci.

Grajqevci po ashtu ka thënë se një ndër problemet e mëdha në procesin e të pagjeturve në Kosovë është ndërrimi i qeverive, e bashkë me të edhe anëtarët e Komisionit për Persona të Pagjetur.

Ai kërkoi nga Qeveria emërimin e anëtarëve të rinj sa më shpejt ose kthimin e atyre që kanë qenë në mënyrë që të vazhdojë procesi.

Krejt neglizhenca e këtij procesi është ndërrimi i qeverive, ndërrimi i njerëzve që janë në proces, edhe këtu na dëmton shumë. Vjen Qeveria Kurti shembull, e ndërron komplet procesin e punës, punëtorëve brenda për brenda dhe këtu kemi shumë probleme”.

Kërkesa e Grajqevcit është që të emërohet më shpejt kryetari i Komisionit ose të mos largohet Ramë Manaj dhe të formohet Instituti për Krime Lufte.

Sipas tij, pa Institutin për Krime Lufte do të humbin shumë materiale dhe nuk do të mund të zgjidhen ato që kryeministri Kurti po pretendon t’i paraqes në Dialog me Serbinë.


MË SHUME NGA Kosovë