Eksperti i komunikacionit: Policia po falë gjoba dhe s`ka radarë statikë
Shtimi i numrit të aksidenteve gjatë muajve të verës lidhet me trafikun e rënduar që krijohet në akset kryesore rrugore.
Vetëm të dielën në vend kanë vdekur katër persona, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur në aksidentin e ndodhur në rrugën Ferizaj-Shtime.
Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti thotë se rritja e numrit të aksidenteve ka ardhur si pasojë e trafikut të rënduar dhe mosrespektimit të shpejtësisë.
“Kemi parë edhe nëpër media, edhe prej analizave që janë bërë në 10 ditëshin e fundit që Kosova gjendet në një kaos trafiku, në një kaos të aksidenteve në komunikacion dhe njëra prej shkaktarëve kryesor është mosrespektimi i shpejtësisë, mos respektimi i përparësisë së kalimit nga ana e qytetarëve”.
Mirëpo, eksperti Ahmeti po e fajëson edhe Policinë, pasi që sipas tij, gjobat janë në mënyrë selektive derisa shton se nuk po gjobiten qytetarët në mënyrën e duhur.
Ai ka përmendur edhe shtatë radarët e Policisë ku tha se pesë prej tyre janë funksional.
“Nuk është vetëm problematika e shenjave, mirëpo problematik kryesore është se policia falin shumë, gjobat janë në mënyrë selektive e nuk gjobiten qytetarët në mënyrën e duhur kur nuk kemi radarë statik. Policia jonë i ka shtatë radarë, pesë prej tyre funksionojnë, kjo është një prej problematikave kryesore dhe në qoftë se policia nuk merr një masë atëherë do të kemi numër të aksidenteve prej vitit të vit në rritje. Prandaj, mundet të shtohet numri i policëve nëpër rrugë dhe nëse i shtojmë kamerat nëpër qytetarë, atëherë numri i të aksidentuarve bie dhe policia nuk kanë nevojë të jenë gjithmonë prezent. Kur shihen policë zbritet shpejtësia në atë rrugë, ndërsa kur kemi radarë statik ata janë në mënyrë të përhershme dhe kësisoj vetëdijesohen qytetarët”, tha Ahmeti në një intervistë për EO.
Ahmeti ka folur edhe për vetëdijesimin e qytetarëve, e për të pasur përvojë ai tha se nevojitet punë prej anës së ekzaminerëve.
Ai theksoi se janë nevojshme edhe fushatat ndërgjegjësuese, të cilat mund të luanin rol në uljen e aksidenteve në komunikacion.























