​Vdes pronari i restoranit ku shpërtheu bombola e gazit

​Vdes pronari i restoranit ku shpërtheu bombola e gazit

Ka vdekur edhe pronari i restauronit "Steakhouse", Genc Sopa, i lënduar rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit këtë fillimvit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Ferizajt, i cili i ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqëve të të ndjerit.

“Me dhembje të madhe, mora lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të pronarit të restaurantit "Steakhouse", të lënduar rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit këtë fillimvit, Genc Sopa. Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mjekëve, solidaritetin qytetar, përpjekjet institucionale, Genci na dha lamtumirën, duke na pikëlluar thellësisht. Genc, pusho në paqen e paskajshme! Ferizaj humbi një qytetar të vyer, një ndërmarrës të suksesshëm, një shpirt fisnik e një mik gjithmonë të qeshur. Fjalët janë të varfëra të shprehin dhembjen. Mbahuni të fortë familje e nderuar Sopa, miq e të njohur të të ndjerit. Dritë pastë shpirti i tij i pastër. Ngushëllime të sinqerta”, ka shkruar ai.

Përndryshe, më 5 janar 2021 në Ferizaj eksplodoi një bombolë gazi në restorant, ku la të lënduar disa persona. Ndërsa, në muajin shkurt nga ky rast ka vdekur një vajzë.