Megaoperacioni Shqipëri-Itali, sekuestrohen mbi 6 tonë lëndë narkotike
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin e Krimit të Organizuar, Arben Kraja, foli sot lidhur me superoperacionin e trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave që u zhvillua ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe Antimafias italiane, ku janë lëshuar 38 urdhërarreste, ndërsa për 10 persona është ekzekutuar masa më parë.
Detaje lidhur me këtë operacion të rëndësishëm dhanë sot në një konferencë të përbashkët për shtyp, edhe prokurori kombëtar italian i Antimafias e Antiterrorizmit, dr. Federico Cafiero de Raho, zëvendëspresidenti e pjesëtari për palën e Italisë në Eurojust, Filippo Spiezia, kryeprokurori i Republikës në Bari, Roberto Rossi dhe drejtori i përgjithshëm i DIA-s, Maurizio Vallone.
Kreu i SPAK, Kraja tha se “ka patur një shkëmbim të menjëhershëm informacionesh me palën italiane, duke bërë të mundur finalizimin e këtij operacioni”.
Ai theksoi se u bë e mundur zbulimi i të gjithë hallkave të këtij “zinxhiri” të trafikut të drogës, që nga prodhimi dhe më pas transporti dhe dërgimi në Itali.
“Në kuadër të këtij operacioni u bë një shkëmbim i menjëhershëm informacioni dhe shumë i suksesshëm në grumbullimin dhe administrimin e provave dhe arritjen e një konkluzioni konkret, ekzekutimin e 28 masave të arrestit sot, të dhëna nga SPAK”, tha Kraja.
Një moment i rëndësishëm, sipas tij, “është hetimi i gjithanshëm që është kryer. Është evidentuar i gjithë zinxhiri nga prodhimi dhe transporti i lëndëve narkotike në Itali. Është evidentuar dhe provuar përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publik në këtë lloj aktiviteti duke favorizuar aktivitetin kriminal. Bëhet fjalë për prokurorë, zëvendës policie, administratorë të pushtetit lokal dhe janë sekuestruar pasuri të konsiderueshëm me disa miliona euro vlerë. Gjithashtu një tregues i rëndësishëm që dua të vlerësoj është bashkëpunimi i 4 dëshmitarëve të drejtësisë që kanë bashkëpunuar. Kemi ngritur akuza edhe për pastrim parash. Para një viti ne ishim në një konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni dhe në atë takim theksova se do i shkojmë deri në fund këtij hetimi dhe kush është i përfshirë do mbajë përgjegjësi, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatën ku e kemi mbajtur premtimin dhe kemi bërë më të mirë”.
Prokurori Mara: U sekuestruan mbi 6 tonë lëndë narkotike, masë sigurimi për 80 persona
Prokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Vladimir Mara tha sot se gjatë hetimit të superoperacionit të trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave janë sekuestruar mbi 6 tonë lëndë narkotike në Shqipëri dhe Itali dhe janë dhënë masë sigurimi për 80 persona të dyshuar.
Në konferencën e përbashkët për shtyp ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe Antimafias Italiane, Mara tha se “gjatë hetimit janë evidentuar episode të shumta të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë dhe shtrirjen në disa qytete të Italisë dhe në vende të tjera të Europës kryesisht të lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa, heroinë, kokainë dhe lëndë të tjera të përpunuara”.
“Sot kemi përfunduar një operacion që është në vijim në fakt për ekzekutimin e 28 masave sigurimit operacion i shtrirë në Mal të Zi, Spanjë, Shqipëri operacioni ka shkuar me sukses dhe për këtë do të flasë edhe drejtori i Policisë Ardi Veliu”, – tha Mara.
Prokurori Mara u shpreh se “do të ndalem në dy momente të rëndësishme. Së pari, ka qenë besimi i autoriteteve italiane dhe ato shqiptare për të ndarë të dhënat e informacionit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme. Një element që e ka ndihmuar këtë hetim kanë qenë 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë, të cilët kanë ndihmuar duke na dhënë të dhëna të hollësishme. Katër bashkëpunëtorët nuk kanë qenë thjesht pjesë e grupeve kriminale, kanë patur një rol të rëndësishëm në përbërjen e këtyre grupeve kriminale”.
Sipas tij, është dokumentuar i gjithë rrjeti nga kultivimi magazinimi trafikimi dhe mbërritja e lëndës narkotike në brigjet italiane.
“Së dyti, në kohë reale është ndjekur edhe një hetim i pasurisë dhe janë identifikuar dhe sekuestruar të gjithë pasuritë të cilat janë vënë si rezultat i aktivitetit kriminal, apo të ardhura të tjera të fituara në mënyrë të paligjshme. Ndalem në dy momente në këtë hetim janë evidentuar edhe zyrtarë të lartë të përfshirë drejt me krimin e organizuar si dhe përfitues apo mbështetës për krimin e organizuar. Kemi konstatuar që zyrtarë të lartë duke shfrytëzuar detyrën kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në trafikun e lëndëve narkotike. Puna jonë është kjo dhe është shumë e rëndësishme që të evidentohen këta elementë të cilët sjellin një regres në luftën kundër krimit të organizuar. Sot janë sekuestruar një numër i madh pasurish, pasuritë janë kryesisht në Vlorë, Kavajë, Tiranë dhe vende tjera, janë pasuri të paluajtshme 11 pasuri të paluajtshme restorante, hotele, supermarkete, troje, etj.”, – nënvizoi Mara.
Ai bëri të ditur se, “janë sekuestruar 4 shoqëri tregtare dhe disa pasuri të tjera që në fakt kapin një vlerë mbi 3 milionë euro. Është dokumentuar fakti që këto pasuri janë të vëna si rezultat i aktivitetit të paligjshëm. Në Republikën e Shqipërisë janë evidentuar edhe dy episode të tjera të trafikimit, është dokumentuar edhe aktiviteti i 4 grupeve strukturale që bashkëpunojnë në mënyrë të ngushtë me grupe të kriminale bareze apo grupe të tjera të shtrira në Republikën e Italisë”.
“Hetimi i kryer në kuadër të kësaj skuadre të përbashkët hetimore ka patur një vazhdimësi dhe shtrirje të gjerë në kohë dhe hapësirë. Hetimi është kryer në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimi së bashku ka qenë një hetim i vështirë por dhe me shumë rezultate. Falënderoj të gjithë të pranishmit në këtë hetim kanë dhënë mbështetjen e tyre në këtë hetim dhe i falënderoj të gjithë të pranishmit”, – tha Mara.
Spiezia: Pa ndaluar pastrimin e parasë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik
Zëvendëspresidenti dhe pjesëtari për palën e Italisë në EUROJUST, Filippo Spiezia vlerësoi bashkëpunimin mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare.
Ai shtoi se “lufta kundër krimit ka një rrugë të gjatë përpara, pasi grupet mafioze shqiptare dhe italiane janë në nivelet më të larta të kriminalitetit botëror”.
“Bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare është i një modeli shumë të lartë. Ky model është perfeksionuar, sepse kemi përmirësuar skuadrën e përbashkët hetimore, kemi thyer barrierat territoriale midis Shqipërisë edhe Italisë. Kjo që po ndodh mes Shqipërisë dhe Italisë nuk ka precedentë. Është një model edhe në kuadrin europian”, tha ai.
Spiezia tha se “pa ndaluar pastrimin e parasë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik”.
“Puna është shumë e gjatë. Grupet mafioze shqiptare dhe italiane janë në nivelet më të larta të kriminalitetit botëror. Ndaj ky rrugëtim i joni duhet të vijë kështu siç është bërë deri tani”, shtoi ai.
Rossi: Vetëm duke bashkëpunuar mund të godasim krimin e organizuar
Kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi tha se problemi i kriminalitetit midis vendeve është një problem i përbashkët, dhe se vetëm duke bashkëpunuar mund të kemi rezultate.
“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme e bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe italiane dhe ja dolëm që të kemi rezultate”, shtoi ai.
Rossi tha se “kur punojmë bashkë, kemi dhënë një kontribut që vlen për të gjithë”.
“Nuk do të flasim më për bashkëpunim, por për një punë të kryer së bashku. Ka vetëm një bashkësi që godet krimin e organizuar. Sot është një ditë e mirë dhe duhet t’u themi faleminderit vëllezërve shqiptare. Po punohet prej 3 vitesh dhe do të punojmë bashkë për shumë kohë, dhe kjo do të na bëjë të lumtur. Më pak të lumtur do të jenë organizatat kriminale”, – tha ai.
Veliu: U bllokua dhe një sasi vlere monetare prej 60 mijë euro
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se “pas një pune gati 3-vjeçare, Policia e Shtetit ka qenë prezente në të gjitha veprimet e kryera nga dita e parë”.
“Sot në mëngjes ne kemi finalizuar ekzekutimin e 18 urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e SPAK, për të gjithë personat pjesë e këtij grupi kriminal. Hetimet policore janë kryer në disa qytete si Vlorë, Kavajë, Tepelenë, Skrapar, Gjirokastër dhe Tiranë. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa për zbatimin e urdhërarresteve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe dy armë zjarri. Njëkohësisht është bllokuar dhe një sasi vlere monetare prej 60 mijë euro”, – tha Veliu.
Gjithashtu, Veliu tha se “gjatë ditës së sotme oficerët e Policisë së Shtetit janë duke ekzekutuar urdhrat për vazhdimin e sekuestrove që prokurori Mara bëri prezent. Besoj se shumë shpejt do të finalizohen të gjitha në kohë reale. Që mbrëmë përmes Interpolit kemi shpërndarë dhe bashkëpunuar me të gjitha zyrat partnere për personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar”.
“Ndihem shumë i vlerësuar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë kur dëgjoj vlerësime pozitive për organizatën që unë drejtoj duke e konsideruar një strukturë dhe organizatë e besueshme dhe duke premtuar njëkohësisht se ne mbi bazën e këtij besimi të krijuar, do të jemi pjesë aktive në të gjitha hetimet që janë duke u zhvilluar dhe do të kontribuojmë maksimalisht për finalizimin me sukses të tyre”, – deklaroi ai./atsh























