Bujqit që pësuan nga kushtet klimatike shpresojnë në kompensimin e dëmeve
BKT
Kosovë

Bujqit që pësuan nga kushtet klimatike shpresojnë në kompensimin e dëmeve

Pajtim Çuni

Rrebeshi i breshrit e shiut të djeshëm, në rajonin e Drenicës, i shkaktoi dëme të mëdha bujqve të kësaj ane.

Bujqit që pësuan nga kushtet klimatike shpresojnë në kompensimin e dëmeve nga shteti. Ndërkohë, përveç kompensimit të dëmeve, nga Federata e Bujqve të Kosovës, thonë se është i nevojshëm funksionalizimi i sistemit kundër breshrit dhe sigurimi i kulturave bujqësore.  

Astrit Sylani nga Llausha e Skënderajt, pas angazhimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kohën e lirë e kalon bashkë me anëtarë të tjerë të familjes në sipërfaqet e mbjella me kulturën e specit. Ky bujk, ashtu si edhe shumë të tjerë nga rajoni i Drenicës, pësuan dëme të mëdha, nga rrebeshi i breshrit e shiut të së premtes. 

“Sipërfaqe jashtë i kam 15 ari. Dëmi është rreth 4 mijë euro, nëse ishin shitë specat me çmim minimal. Në serë, fidanet nuk janë dëmtuar, por është dëmtuar llastiku. Veç llastik dëmi është mbi 3 mijë euro. Tash, pas breshrit, për sivjet, s’ka më kurrgjë në të”, tha ai për Radio Kosovën.   

Sylani, teksa shton se dje, Komuna e Skenderajt ka dalë në terren për vlerësim e dëmit, shpreson në mbështetje financiare nga shteti. Kompensim të dëmit për bujqit e dëmtuar nga kushtet klimatike kërkon edhe Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Bujqve të Kosovës.  

Ne kemi planifikuar që javën e ardhshme me u taku me ministrin e bujqësisë, të cilit do t’ikërkojmë që të ndajë një fond për t’indihmuar bujqit për dëmet e shkaktuara nga breshëri. Pasi që me fajin e shtetit bujqit tanë po pësojnë nga fatkeqësitë natyrore atëherë konsideroj se shteti i ka borxh bujqve që t’ia paguaj 100 përqind dëmin e shkaktuar”, tha Tahiri. 

Për parandalimin e dëmeve në bujqësi është mëse i nevojshëm funksionalizimi i sistemit kundër breshrit, pohon Tahiri, i cili apelon që të fillojnë edhe sigurimet për të gjitha kulturat bujqësore. Ndërkohë, në mbledhjen e fundit, Qeveria ka ndarë 1.3 milion euro, për mbulimin e 30 përqind të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, në nivel vendi, në periudhën kohore korrik-dhjetor 2020.


MË SHUME NGA Kosovë