10 të arrestuar për shkelje të rregullave të trafikut në Shqipëri

10 të arrestuar për shkelje të rregullave të trafikut në Shqipëri

Policia e Shtetit shqiptar gjatë 24 orëve ka arrestuar 10 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë pezulluar 44 leje drejtimi, nga të cilat 30 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 156 km/h në rrugën interurbane Elbasan-Tiranë ) dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur (deri në 1.16 mg/l). 

Nga Policia Rrugore e Tiranës është ndëshkuar me masë administrative një drejtues mjeti, i cili qarkullonte në sheshin “Nënë Tereza”, me pasagjerë që qëndronin në pjesën e jashtme të dyerve të automjetit, duke rrezikuar jetën.

Policia Rrugore e Tiranës ka ndëshkuar me masë administrative 189 drejtues mjetesh, për qarkullim në korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe ato të emergjencës. 

202 janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, 206 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 204 drejtues mjetesh për mos vendosje të rripit të sigurimit, 209 për shpejtësi tej normave të lejuara e sjellje agresive në rrugë etj. 

Në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve intensive, nisur edhe nga fakti se në shumë raste aksidentesh janë përfshirë edhe drejtues të motoçikletave, janë evidentuar dhe ndëshkuar 190 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse. 

674 drejtues mjetesh për parkime të gabuara, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të këmbësorëve. 

Policia Rrugore fron qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.