Kapet sasi e madhe kanabisi i njomë në Shkodër
Policia e Shkodrës ka realizuar një operacion të koduar “Rapshi” ku ka vënë në pranga një person.
Ai quhet Kastriot Guraj, 44 vjeç dhe është banues në Dobraç. Guraj ka qenë më parë i dënuar më parë për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Policia ka njoftuar se ka marrë informacione në rrugë operative se disa persona kishin kultivuar kanabis në zonën e Rapshës në Malësinë e Madhe dhe do ta transportonin në drejtim të Vermosh-Koplik-Shkodër.
Prandaj gjatë orëve të vona të natës kanë ndërhyrë për të bllokuar mjeti që transportonte lëndën narkotike në gjendje të njomë. Policia thotë se janë kapur 286 kilogramë kanabis.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë si bashkautorë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale ”Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim./tvklan.al























