Po transportonin emigrantë të paligjshëm, 3 të arrestuar në Kukës e Korçë
Sharr Travel

Po transportonin emigrantë të paligjshëm, 3 të arrestuar në Kukës e Korçë

Policia e Kukësit ka vënë në pranga 2 shtetas që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm.

Sipas uniformave blu, u bë arrestimi i Oltion Tupi, 32 vjeç dhe Ertigern Tupi, 27 vjeç, banues në Krujë.

"Këta dy shtetas u arrestuan në flagrancë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur "Ura e Drinit të Zi", duke transportuar kundrejt fitimit, me një automjet furgon tip "Volkswagen", disa shtetas të huaj, që të kalonin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Kosovës," informon policia.

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

Një tjetër rast ndihmës së kalimit të paligjshëm të kufijeve u godit edhe në Korçë.

Policia bën me dije se ka ndaluar një shtats të shapllur në kërkim për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", kryer në bashkëpunim dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".

Blutë e Korçës informojnë se u bë ndalimi i shtetasit S. B., 34 vjeç, banues në Korçë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec me vendimin e datës 15.09.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale të lartpërmendura, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 18.07.2021, ku 34-vjeçari kur ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e policisë, ka braktisur mjetin furgon tip "Benz", në afërsi të vendit të quajtur "Guri i Kuq", në Pogradec, brenda të cilit u gjetën 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 250 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme./oranews