Prizren, paraburgim dy të dyshuarve që tentuan të grabitin pompë derivatesh
Sharr Travel

Prizren, paraburgim dy të dyshuarve që tentuan të grabitin pompë derivatesh

U është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji të dyshuarve A.S. dhe F.H., pasi kanë kryer veprën penale “Grabitje e mbetur në tentativë”.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prizren, të dyshuarit më 20 shtator në Prizren në një pompë të derivateve kanë tentuar të kryejnë grabitje.

“Më 20 shtator, në orët e mesnatës, në Prizren, saktësisht në një pompë të derivateve, të pandehurit në bashkëkryerje përmes armës, përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, fillimisht duke drejtuar automjetin, të cilin ka qenë duke e drejtuar i pandehuri F.H., me të arritur në oborrin e pompës së derivateve në fjalë në afërsi të kabinës ndal automjetin, nga i cili del i pandehuri A.S., duke u nisur në drejtim të të dëmtuarit e duke mbajtur në dorë një pistoletë – shkrepës, të cilën ia drejton të dëmtuarit dhe duke iu drejtuar me fjalët ‘ku janë paratë’ dhe ‘bjeri paratë’ dhe se në atë moment i dëmtuari i kundërvihet të pandehurit A.S., së pari duke e shtyrë e më pas duke e goditur dorën e tij, me të cilën ishte duke e mbajtur armën, ku një pjesë kësaj arme lodër bie në dysheme, derisa i pandehuri A.S. me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të automjetit ku ishte duke e pritur i pandehuri F.H. dhe të cilët më pas largohen në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura është në fazën fillestare dhe nëse të dyshuarit lihen në liri mund të fshihen ose të largohen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe ekziston rreziku se po që se të njëjtit do të liheshin në liri, ata mund të përsërisin veprën penale, ose të përfundojnë veprën e tentuar.

“Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për shkak të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.