Mish i dyshuar në treg, AUV brenda këtij viti ka asgjësuar mbi 50 mijë kg
Sharr Travel

Mish i dyshuar në treg, AUV brenda këtij viti ka asgjësuar mbi 50 mijë kg

Mbi 50 mijë kilogramë mish dhe produkte të mishit janë asgjësuar gjatë këtij viti në Kosovë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Nga inspektorët e AUV-it është vlerësuar se mishi i asgjësuar nuk i ka plotësuar kushtet për konsum nga qytetarët.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Thaçi tha se në vazhdimësi janë duke bërë kontrolle dhe se do të largojnë nga tregu produktet që nuk i përmbushin kriteret ligjore për tregtim.

“Kontrollet janë në vazhdimësi për largimin nga tregu të produkteve të cilat nuk i përmbushin kriteret ligjore për tregtim. Secili operator që nuk i plotëson kushtet ligjore, produktet do t’i konfiskohen dhe do të iniciohen raste në Gjykatë. Gjatë këtij viti deri më tani kemi asgjësuar mbi 50 mijë kg mish dhe produkte mishi të cilat nga ana e inspektorit janë vlerësuar se nuk i plotësojnë kushtet për konsum. Një sasi është asgjësuar me kërkesë të operatorëve të biznesit”, ka thënë ai.

Thaçi tha se kur inspektorët kanë hasur mish ose nënprodukte mishi të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore për tregtim, menjëherë janë larguar nga shitja

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë tërë kohës ushtron kontrolle tek të gjitha mishtoret në Kosovë, për mbikëqyrjen e tregtimit të mishit dhe nën produkteve nga mishi. Në secilin rast kur inspektorët kanë hasur mish ose nënprodukte mishi të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore për tregtim, menjëherë mishi dhe produktet e mishit janë larguar nga shitja dhe janë bllokuar (bllombuar) me proces deri në asgjësim”, është shprehur ai.

Gjatë bisedës, Thaçi tha se për momentin të angazhuar kanë 30 inspektor veterinar të cilët merren me kontrollin e produkteve me origjinë shtazore dhe shëndetin e kafshëve.

“Për momentin inspektor veterinar të angazhuar në kontrollin e brendshëm janë 30 të cilët merren me kontrollin e produkteve me origjinë shtazore dhe shëndetin e kafshëve. Ky numër nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur planet zyrtare të kontrolleve. Po jemi duke bërë me të mirën të mundshme të rritet frekuenca inspektuese tek subjektet te cilat merren me përpunimin, paketimin dhe tregtim të produkteve me origjinë shtazore”, bëri të ditur ai.

Ndërkaq, Thaçi tha se të gjithë operatorët ekonomikë që merren me tregti të mishit, fillimisht i nënshtrohen licencimit të objektit e deri të kushtet tjera.

“Të gjithë operatorët ekonomikë qe merren me therje të kafshëve, përpunim dhe paketim të produkteve me origjinë shtazore licencohen nga AUV. Fillimisht para se të fillojnë punën i nënshtrohen procesit të aprovim licencimit të objektit. Ku vlerësohen të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore që duhet t’i përmbush një objekt për të operuar në ketë fushë. Pasi të merr aprovimin hynë në listën e objekteve të kategorisë përkatëse e cila është publike ne ueb faqen e AUV-së. Në atë listë gjenden të dhënat kryesore për operatoren ekonomikë duke përfshi edhe kategorizimin në varësi të kushteve teknike sanitare dhe higjienike që operatori posedon. Sipas një vlerësimi të përgjithshëm të gjithë këta operatorë janë të nivelit të mirë duke shënuar ngritje të vazhdueshme të kushteve për rritje të sigurisë dhe cilësisë se produkteve qe prodhojnë”, theksoi ai.

Më tej, Thaçi shtoi se “të gjitha mishtoret sipas ligjeve ne fuqi regjistrohen në AUV dhe pastaj bashkë me thertoret, përpunuesit dhe paketuesit e produkteve me origjinë shtazore, hy në planin nacional të kontrolleve zyrtare dhe mostrimit”.

“Planet përcaktojnë numrin e kontrolleve për operatoret sipas kategorive që kanë, por po ashtu në secilin rast dyshimi apo ndonjë ankese kryhen kontrolle ad-hoc nga inspektoret në çdo kohë. Kushtet teknike sanitare të mishtoreve në nivel të përgjithshme janë të mira. Në disa raste gjatë vitit dhënë  vërejtje për përmirësim brenda afateve kohore. Në secilin raste kur inspektorët anë hasur parregullsi të mëdha kanë vepruar me mbyllje të përkohshme”, potencoi ai.

Theksojmë se, para dy ditësh Policia e Kosovës dhe Inspektorët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit kanë zhvilluar një aksion në Fushë Kosovë dhe Prishtinë, ku janë konfiskuar rreth 200 kg mish, pa dokumente, i cili përdorej nga pronari i qebaptores.

Lidhur me rastin Policia ka arrestuar pronari një qebaptore në Fushë Kosovë. Të tilla raste të aksionit ka pasur edhe më herët në Kosovë.


MË SHUME NGA Nacionale