Keqtrajtim gjatë detyrës e dhunë në familje, 74 policë u suspenduan
Sharr Travel

Keqtrajtim gjatë detyrës e dhunë në familje, 74 policë u suspenduan

Që nga 1 janari e deri më 30 shtator, 30 zyrtarë policor janë arrestuar, ndërsa 74 janë suspenduar, njofton Inspektorati Policor i Kosovës.

Jo vetëm qytetarët i thejnë rregullat e bëjnë vepra penale. Deri sot ka pasur raste që edhe punonjësit e Policisë së Kosovës i kanë thyer rregullat.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, nga ky institucion kanë thënë që nën dyshimin se kanë kryer vepra penale, nën hetime janë 157 punonjës policor.

Ndërsa, sipas IPK-së, veprat më të shpeshta janë: keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar publike, lëndim i lehtë trupor , dhuna në familje dhe kanosja. 

“Për dyshimin se kanë kryer vepra penale, nga IPK janë duke u hetuar gjithsej 157 punonjës të policisë. Gjatë hetimeve të rasteve penale nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së, veprat më të shpeshta kanë qenë: keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar publike, lëndim i lehtë trupor , dhuna në familje dhe kanosja“, kanë thënë nga IPK.

Gazeta Sinjali, më 25 qershor ka raportuar ekskluzivisht, për një rast në Prizren, ku Njësia Speciale e Policisë kishte keqtrajtuar qytetarët brenda stacionit policor.

E pas raportimit të Sinjalit, për këtë rast, janë arrestuar rreshteri Sami Hoti dhe zyrtarët policorë Valon Krasniqi, Frasher Kroni, Ardian Krasniqi e Albert Perzhaku.

Në pamjet e publikuara shihet që rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij kanë torturuar e poshtëruar disa qytetarë të Prizrenit që ishin duarlidhur.

Ndërsa më 29 janar, Sinjali ka raportuar se Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, është arrestuar mbrëmë për herë të dytë, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.


MË SHUME NGA Nacionale