Situatë e qetë pandemike në Pejë, deri në 50 qytetarë po testohen në ditë
Sharr Travel

Situatë e qetë pandemike në Pejë, deri në 50 qytetarë po testohen në ditë

Tashmë kur situata me pandeminë COVID-19 është e qetë në gjithë vendin, situatë stabile është edhe në komunën e Pejës. Ndërsa, në këtë komunë tashmë testimet për COVID-19 po mundësohen në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe brenda ditës deri në 50 testime po realizohen.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori për Shëndetësi në komunën e Pejës, Petrit Loci, i cili po ashtu u shpreh se pacientët e paktë në numër që janë aktiv me koronavirus shërbimet po i marrin në shtëpitë e tyre përmes ekipeve mobile të Qendrave të Mjekësive Familjare.

“Krahasuar me dy muajt e mëparshëm, aktualisht kemi një situatë më të qetë marr në përgjithësi nga të gjitha shërbimet që ne ofrojmë. Kemi një situatë më të qetë dhe ata pacientët e paktë që janë aktiv trajtohen në shtëpitë e tyre nga ekipet mobile të QKMF-së….Numri i testimeve nuk ka rënë shumë për vetë faktin që pacientët tashmë edhe për një simptomë më të vogël preferojnë të testohen gjithashtu edhe mjekët familjar për çështje sigurie i rekomandojnë pacientët në bazë të dyshimeve dhe simptomatologjisë që të bëjnë testimin. Ne testimin e kemi shtrirë pothuajse në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe çdo ditë raportohen rastet çoftë negative apo rast i mundshëm pozitiv…..çdo ditë testohen afërisht 50 persona….Është një qetësi relative e mirë që shpresojmë në ditët në vijim për faktin që tashmë kemi kaluar fushatën zgjedhore që ishte dhe shpresojmë që mos të shërbej për keqësim të situatës sa i përket COVID-19”, theksoi ai.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Pejës, Petrtit Loci për KosovaPress, ka treguar ka mungesë në furnizimet me material shpenzues dhe barna nga lista esenciale, por këto mungesa po i mbulojnë me mjetet vetanake.

Loci po ashtu tha se terapia tabletare blihet nga vetë pacientët, ndërsa ata synojnë që terapinë ampulare ta sigurojnë për pacientët.

“Furnizimet nuk janë edhe aq të mira kemi kaluar një periudhë jashtëzakonisht të keqe në muajt e kaluar tani kemi një stabilizim të momentin sa i përket furnizimit me insulina, ndërsa sa i përket furnizimit me material shpenzues nga lista esenciale pasi që shpenzimet janë jashtëzakonisht të mëdha që kanë qenë edhe më të mëdha….Kemi mungesa por të gjitha mungesat që kemi nga lista esenciale ne si komunë kemi ndarë një shumë nga buxheti për vitin aktuale ku furnizohemi në bazë të nevojave që i kemi nga mjete vetanake të QMF dhe AMF me terapi dhe material shpenzues…Blerja e terapisë normalisht terapia tabletare pothuajse e tëra blihet nga ana e qytetarëve por ne jemi të përkushtuar që terapinë ampulare që e ofrojmë në QMF t’u shërbejmë pacientëve tanë“, u shpreh ai.

Tashmë kur jemi në muajin tetor që njihet si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare në komunës e Pejës po ofrohen falas ekzaminime mamografike. 4 deri në 5 gra në ditë po marrin këtë shërbim në këtë QKMF, ndërsa pajisja është blerë me mjetet vetanake të komunës.

Loci tha se krahas ekzaminimeve në QKMF-në e Pejës, vajzat dhe gratë e interesuar këtë shërbim tash e sa vite kanë pasur mundësi të marrin edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

“Tashmë po bëhen 1 muaj prej kur kemi filluar shërbimin e mamografisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe ka korresponduar me muajin rozë është një interesim i mirë i grave për të bërë ekzaminimet e nevojshme me mamografi dhe pothuajse çdo ditë në pesë ditë të javës janë mesatarisht 4 deri në 5 gra t’i nënshtrohen që i nënshtrohen ekzaminimeve…Si institucioni i shëndetit primar si ai siç është QKMF i ofron shërbimin e Mamografisë e ofron këtë shërbim tashmë disa vite….Mamografi është blerë nga mjetet vetanake të komunës së Pejës me vendim të kryetarit të komunës së Pejës ky shërbim ofrohet falas për të gjitha gratë që shprehin interesi”, u shpreh Loci.

Në Komunën e Pejës prej fillimit të procesit të vaksinimit kundër COVID-19 e deri sot janë imunizuar 88 mijë qytetarë.